Sulmi me zollë ndaj Kuvendit, Frashër Krasniqi flet për Nacionale pasi u shpall i pafajshëm
Ish aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi, akuzoheshin për veprën penale “terrorizëm”. Ata u akuzuan se në gusht të vitit 2016 e sulmuan me zollë Kuvendin e Kosovës.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarve u shpall të martën më 27 dhjetor, nga kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili.
Sipas aktgjykimit, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi lirohen nga aktakuza, pasi nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale që iu vihej në barrë.
Krasniqi i ka thënë Nacionales se fitoi profesionalizmi para ndikimeve politike.
“Për më shumë se dy vite që ky rast ka fillu me u rigjyku sipas vendimit të Apelit. Prej fillimit të procesit krejt cka kemi kërku ne është që të shqyrtohen provat e deklaratat e kësaj lënde në mënyrë profesionale dhe të pananshme. Sot trupa gjykuese e vërtetoi pafajsinë tonë, jo se ka pasur anshmëri, por sepse thjesht ju ka dhënë përparësi shqyrtimit profesional të provave dhe fakteve, që sot u dëshmuan që janë shfajësuese për ne.” Ka thënë Krasniqi.