Sulmi i Bajnskës, BE-ja ende në pritje të rezultateve finale nga hetimet e Kosovës
Bashkimi Evropian po pret ende raportin final të autoriteteve të Kosovës për të marrë një qëndrim në lidhje me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Bajnskë të Zveçanit.
Kështu ka deklaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një konferencë për media ku u pyet në lidhje me deklaratat e dhëna të mërkurën nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.
“Për Bajnskën, BE-ja po pret ende raportin final të hetimeve që po bëhen nga Kosova, hetimi zyrtar është në dorën e autoriteteve të Kosovës, sapo t’i shohim rezultatet finale do ta analizojmë, ta rishikojmë dhe do të japim pasojat e nevojshme, pa komentuar deklarata që bëhen nga çdokush.” – tha ai.
Tutje, Stano ka thënë se BE-ja pret bashkëpunim nga secila palë për të treguar se çfarë ka ndodhur atë ditë.
“BE-ja pret bashkëpunim të pakusht nga çdokush që mund të kontribuojë që të tregojë se çfarë ka ndodhur, kush janë fajtorët, kush janë pjesëmarrësit. Këtu pozicioni është shumë i qartë, për të ecur përpara dhe për të nxjerrë pasojat, duhet të shohim rezultate përfundimtare dhe finale të autoriteteve të Kosovës.” – u shpreh zëdhënësi evropian.
Vuçiq ndërkaq, dje bëri deklarata skandaloze për Bajnskën, duke thënë se “disa serbë mbrojtën votrën”.
“Dhe në lidhje me Banjskën, kemi ardhur në përfundim se të gjithë ata që armatosin FSK-në dhe që shkelin Kartën e OKB-së mendojnë se nuk do të mbajnë kurrë përgjegjësi për të. Ju intereson si ta dënoni Serbinë sepse disa serbë e mbrojtën votrën. Ata që kanë shkelur ligjin do të përgjigjen para gjykatave kompetente.” – tha ai.