“Suksesi fatal” i Kurtit në veri sipas Kurtit - NACIONALE

“Suksesi fatal” i Kurtit në veri sipas Kurtit

3 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Shëtitja dhe zhvendosja në qëndrime është një atribut interesant i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ekziston një aurë pagabueshmërie që e shoqëron dhe që ia del ta përçojë suksesshëm te shtrati elektoral i tij. Atë që e thotë, për nga retorika, në dëgjim të parë shumëkujt i tingëllon të jetë brenda notave që i luan kaherë. Por, nuk është. Ja një rast eklatant.

Kishte dalur për herë të parë në foltore të Kuvendit me “gjashtë kushte” për Asociacionin. Rast ky që kishte shënuar shndërrimin më të madh të tij në karrierë. Andaj edhe kishte mprehur retorikën ndaj deputetëve kundërshtarë. Në veçanti, atyreve të LDK-së. Një polemikë me Abdixhikun do ta tradhtonte në “konsistencën absolute” të tij. Fjala ishte për pjesën veriore të vendit. Këtu arsenalin verbal ia kishte drejtuar kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut, dhe dy pjesëtarëve të tjerë të asaj partie.

A po sugjeron që të hymë me forcë në veri? A është duke e sugjeruar këtë gjë?”.

Kur jemi te veriu, thoshte Kurti, “unë këta i njohë shumë mirë” derisa konstrastin e vendoste në kohën kur ishte në koalicion qeverisës me LDK-në.

Në atë kohë nuk kanë pasë këso idesh”, shprehej kryeministri, derisa qëndrimet e asaj dite thoshte se nuk i kanë nga bindja por nga karriga “opozitare” ku gjenden.

Deputetin Abdixhikun nuk po e kuptoj. A po sugjeron që të hymë me forcë në veri? A është duke e sugjeruar këtë gjë? Unë deputetin Abdixhiku e kam pasë ministër edhe deputetin Hoti e kam pasë zëvendës. I njoh mirë, i njohë shumë mirë. E kam edhe Ministrin e Brendshëm nga rradhët e LDK-së. Dhe nuk kanë pasë këso idesh. Këtyre idetë ua dirigjon karriga. Pra, bëhet fjalë për deputetë që mendimet ua dirigjon karriga e jo bindjet që i kanë”, pati thënë ai në seancën e 2 shkurtit 2023.

Ku është hilja?

Tri vite më parë – prill 2020 – saktësisht Hoti dhe Veliu, “më vinin me disa ide të çuditshme” tregonte ai në një emision në Jeta në Kosovë. E këto “ide të çuditshme” kishin të bëjnë me luftimin e krimit dhe korrupsionit në veri, i tregonte Kurti intervistueses.

Dy herë ish-Ministri i Brendshëm [Agim Veliu], njëherë me ish-Zëvendës Kryeministrin [Avdullah Hoti], erdhi që të merr miratimin tim për aksione policore kundër krimit dhe korrupsionit me ç’rast thoshte se janë të përgatitura mirë; vetëm pritet edhe miratimi nga ana ime ndaj asaj që ishte ndërmarrje policore e studiuar thellë, e përgatitur gjatë”, vazhdonte ai.

Këto aksione, adresë e kishin Zubin Potokun dhe Karaçevën.

Por, Kurti, rezervohej ndaj tyre. Kishte edhe pyetje të hollësishme ndaj dy ministrave të tij nga LDK-ja. Dhe atë tejet specifike. “Pse të luftohet krimi dhe korrupsioni vetëm në Veri, kur numri më i madh i të korruptuarve dhe kriminelëve për metër katror në aspektin ekonomik është në kryeqytet?”, i kishte pyetuar Kurti, Hotin dhe Velin.

Shto kësaj, thoshte ai, edhe që është në zona ku “s’kemi përvoja të mira”.

Si bëhet që vazhdimisht krimi dhe korrupsioni duhet të luftohet diku ku do të fërkohemi me Serbinë”, thoshte Albin Kurti. Pse bash atje dhe vetëm atje, pyeste ai.

Sepse ju e dini: nuk ka vetëm dështime spektakolare, por ka edhe suksese katastrofale. Ti mund t’i arrestosh katër veta, por nëse ngritën 40 barrikada për katër veta, ti ke dështuar sërish”, thoshte me bindje të plotë ai.

Ministri më kërkonte aprovim për aksione diku ku gjithmonë ka probleme edhe politike”, e përfundonte ai.

Të ndalemi te pjesëzat më interesante...

Frazë ikonike padyshim: Nuk ka vetëm dështime spektakolare, por ka edhe suksese katastrofale. Saktësisht kjo do ta gjente vetë Kurtin me arrestimin e një ish-polici nga komuniteti serb dhjetorin e kaluar ku u ngritën afro 20 barrikada, e cila po ashtu i përkon me parashikimin e tij të 2020’ës se “Ti mund t’i arrestosh katër veta, por nëse ngritën 40 barrikada për katër veta, ti ke dështuar sërish”.

Për këto barrikada do të duhej një angazhim i madh ndërkombëtar mes ShBA’së, BE’së dhe NATO’s për t’u hequr, ku edhe serbi Pantiq do të lirohej në arrest shtëpiak. ShBA dhe BE do të dilnin me një deklaratë se kanë marrë siguri nga autoritetet kosovare se nuk do të ketë lista përndjekjesh penale dhe të arrestimeve ndaj “barrikaduesve/protestuesve paqësor”. Ishte përnjëmend sukses fatal, ku u desh bashkësia ndërkombëtare të kthente situatën në vend dhe Kurti të tërhiqej nga të gjitha qëndrimet fillestare të rrepta të tij.

Sipas Kurtit, atëherë LDK kishte pasur “këso ide të çuditshme”. Kondradiktë në terma.

Lajme të ngjashme