S’tregon Bislimi, tregon NATO – Ura e Ibrit u diskutua në Bruksel: “Hapja përmes dialogut”
“Edhe për BE-në është e qartë që nuk ka alternativë tjetër përpos hapjes së urës”.
Kështu e dha të besohet Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pasi përfundoi takimin në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi me lehtësuesin e BE-së, Miroslav Lajçak.
Por ama, Bislimi nuk njoftoi fare se gjatë kësaj dite ai u takua me zyrtarë të lartë të NATO-s, dhe atë saktësisht për çështjen e Urës së Ibrit, hapjen e të cilës për automjete, tash për tash, nuk u bë fjalë që e mbështesin.
U desh të dalë NATO-ja me komunikatë që të ndriçonte përmbajtjen e bisedimeve.
Jo veç një zyrtar i lartë i NATO-s, por dy – u takuan me Bislimin dhe kryenegociatorin Petar Petkoviq, dhe atë, saktësisht për çështjen e Urës së Ibrit: temë kjo që, sipas Qeverisë së Kosovës, assesi nuk do të diskutohet në Bruksel, ngase, gjithnjë sipas tyre, është çështje ekskluzivisht e brendshme.
NATO tha t’i ketë thënë Bislimit kështu: “Vendimet (për hapjen e urës) duhet të merren përmes dialogut, në koordinim efektiv dhe kohshëm me bashkësinë ndërkombëtare dhe në një mënyrë që nuk i vendos në rrezik komunitetet lokale dhe trupat e NATO-s”.
“Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Operacione diskutoi situatën e sigurisë në Kosovë dhe adresoi shqetësimet e sigurisë në lidhje me hapjen potenciale për trafikun rrugor të urës së lumit Ibër në Mitrovicë. Z. Goffus theksoi nevojën për një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme”, thuhet në komunikatën e NATO-s.
Bislimi në anën tjetër, dha versionin e vet pa këto përmbajtje fare; dhe pa treguar se zhvilloi këto takime e me këtë temë të shtruar kështu.
“Zëvendëskryeministri shtoi se edhe në Raportet e Komisionit Evropian që pas vitit 2014, BE-ja shprehet se ura duhet të hapet, pa vonesa të mëtejme. Ai tha se kjo çështje tashmë është trajtuar e dakorduar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut, dhe se ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese, ku edhe cilësohet si simbol i normalizimit”, thuhet në komunikatën e qeverisë kosovare.
Më shumë përmbajtje rreth këtyre temave, megjithatë dha korrieri i qeverisë serbe për dialog, Petar Petkoviq, i cili foli edhe për çështje të kahershme të përcaktimit të kufijve administrativë mes Mitrovicës së Veriut dhe Mitrovicës së Jugut si “parakusht” për hapje të Urës ës Ibrit.
Qysh prej Planit të Ahtisaarit – që është inkoropruar në Kushtetutën e Kosovës – vendbanimet e Suhudollit, Gushancit dhe Vinarcit kalojnë nën administrim të Mitrovicës së Jugut; ndërsa Suhudolli dhe Kroi i Vitakut të përcaktoheshin përmes një Memorandumi Bashkëpunimi mes dy komunave.
Mitrovica e Veriut pretendon që kufiri administrativ komunal është te Ura e Ibrit, ndërsa Mitrovica e Jugut bazuar në Planin e Ahtisaarit dhe ligjet e Kosovës i ka edhe ato vendbanime.
Sipas Ligjit për Kufijtë Adminstrativë (Neni 3.3) “kufiri mes Mitrovicës së Veriut dhe Mitrovicës së Jugut do të jetë vija e përcaktuar që do të kalojë nëpër zonën kadastrale të Suhudollit”.
NATO në komunikatën e saj rikujtoi se mbajnë “prani fikse” mbi Urën e Ibrit dhe se do t’i përgjigjet “çfarëdo shqetësimi të sigurisë” dhe se për këtë gjë janë “të detyruar nga mandati i OKB-së” referuar “Rezolutës 12/44”.
“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO është i detyruar nga mandati i tij i OKB-së për të adresuar çdo shqetësim të sigurisë dhe për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt. KFOR-i mban prezencën e tij fikse në urë dhe vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth”, u tha në komunikatën e NATO-s.