Stano: Të kënaqur që dialogu është bërë popullor në rajon, por selia e dialogut është në Bruksel
Zëdhënësi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, duke komentuar ofertën e kryeministrit malazez Dritan Abazoviq që Mali i Zi të jetë mikpritës i raundit të ardhshëm të negociatave ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, është shprehur i kënaqur që dialogu është bërë popullor në rajon, por shtoi se selia e dialogut është ende në Bruksel, raporton Kosovo-Online.
Në një konferencë për shtyp,, Stano tha se BE-ja është e kënaqur që dialogu është bërë popullor në rajon dhe se gjithnjë e më shumë vende po ofrojnë mundësinë për të pritur bisedimet e ardhshme.
“Ne jemi të kënaqur që shohim se dialogu po bëhet popullor në rajon dhe se gjithnjë e më shumë vende po ofrojnë mundësinë për ta pritur atë, por ne po ecim hap pas hapi, selia e dialogut është në Bruksel”, tha Stano.
Ai shtoi se takimi në mes të presidentit serb dhe kryeministrit të Kosovës në Ohër paraqet një moment historik të madh dhe se tani është vendimtare të punohet në zbatimin e marrëveshjes dhe aneksit.
Gjithashtu, ai kujtoi se marrëveshja pati një epilog si në Këshillin e Ministrave të Jashtëm, ku Josep Borrell, kreu i diplomacisë së BE-së, i informoi ministrat e BE-së për këtë, ashtu edhe në Këshillin Evropian, ku liderët miratuan marrëveshjen dhe theksuan se " Të dyja palët duhet të vazhdojnë me zbatimin e shpejtë të detyrimeve”.
“Kemi filluar punën institucionale për të funksionalizuar hapat e parë, domethënë harmonizimin e qëndrimit të përbashkët për kapitullin 35 dhe hapat përkatës nga ana e Kosovës”, tha Stano.