Spektakli i Serbisë me arrestimin, e më pas lirimin e Radoiçiq: Ngjarjet kryesore të javës - NACIONALE

Spektakli i Serbisë me arrestimin, e më pas lirimin e Radoiçiq: Ngjarjet kryesore të javës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Edhe kjo javë është shënuar me ngjarje të rëndësishme në Kosovë. Temë kryesore vazhdon të mbetet sulmi terrorist në Banjskë. Për këtë, pati disa zhvillime në Prishtinë e Beograd.

Kryekriminali e organizatori i grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë të Zveçanit, Milan Radoiçiq, vazhdon të jetë i lirë nëpër Beograd. Serbia bëri një farsë të shkurtër duke e arrestuar për disa orë, e më pas e liroi.

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë kishte bërë të ditur gjatë javës se Milan Radoiçiq është arrestuar sot dhe se i është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë.

“Më 3 tetor 2023, zyrtarët policorë të Drejtorisë së Policisë Kriminale kanë bastisur banesën dhe pronat tjera të Milan Radoiçiqit, i cili do të mbahet deri në 48 orë”, njofton MPB e Serbisë, shkruajnë mediat në Serbi.

Ata shtojnë se ai është dërguar në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me kallëzim penal.

Por, vetëm disa orë më pak Gjykata e Beogradit vendosi ta lirojë kryekriminelin Radoiçiq.

Gjykata e Lartë në Beograd kishte njoftuar se e ka liruar nga mbajtja ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, një ditë pas marrjes në pyetje.

Gjyqtari i procedurës paraprake e ka refuzuar propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për caktimin e masës së paraburgimit për Radoiçiqin, pas intervistimit.

Atij me vendim vetëm i ishte ndaluar hyrja në Kosovë. Edhe pse Serbia tentoi ta gjuajë fajin se armatimi është blerë në Bosnjë e Hercegovinë, këta të fundit e mohuan.

Në mesin e veprave që Radoiçiqin e ngarkojnë në Serbi, nuk ka terrorizëm, as vrasje të policit.

Sipas Prokurorisë serbe, Radoiçiq dyshohet për disa vepra penale që kanë të bëjnë me blerje të paligjshme të armëve dhe “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.

Vetëm pak ditë pas vendimit, Radoiçiqit dhe avokatit të tij i dolën në pah edhe lidhjet me komplet sistemin e drejtësisë në Beograd.

Avokati i Radoiçiqit, Goran Petronjieviq, po del se ka lidhje të ngushta me Nenad Stenfaoviqin, udhëheqës i Prokurorisë së Lartë të Beogradit. Kjo u konfirmua edhe qysh para arrestimit të Radoiçiqit, kur avokati i tij tha se nuk ka shansa që klienti i tij të qëndrojë në burg.

“I takon opinionit që fillimisht të pyesë veten nëse mund të presin një procedurë të paanshme dhe ligjore, nëse merret parasysh se gjyqtarja e Gjykatës së Lartë të Novi Sadit, Ivana Josifoviq, kryetarja e Bordit të Drejtorëve të Shoqatës Stefanoviq, e gjyqtarëve dhe prokurorëve, është në të njëjtën kohë në marrëdhënie shumë të ngushta me Goran Petronijeviq – avokat mbrojtës i Radoiçiqit, i cili është i njohur për të gjithë gjyqësorin. Stefanoviq nuk e fsheh gjithashtu se është privatisht i afërt me Petronijeviqin, i cili është mysafir i rregullt në festimet e tij. Në këtë të fundit, ku shënoi përvjetorin e paqenë të shoqatës së tij, Petronijeviqit iu nda një çmim special”, ka thënë një burim serb për gazetën Nova.

Lidhje e avokatit të Radoiçiqit janë edhe me zyrtarë tjerë të lartë të institucioneve të drejtësisë.

“Petronijeviq së fundi është shfaqur në fotot e Marijo Spasiq, një prej mbrojtësve kryesorë të personazhit dhe veprave të Nenad Stefanoviqit, i cili në mediat e regjimit shfaqet si analist i praktikës së përgjithshme dhe komentues i vetëm i postimeve të Stefanoviqit në rrjetet sociale. Bëhet fjalë për një person me biografi të dyshimtë i cili tashmë paraqitet si sekretar i organizatës “GONGO” Këshilli për Monitorimin, të Drejtat e Njeriut dhe Luftën Kundër Korrupsionit “Transparenca””, shton burimi.

Para disa vitesh, Radoiçiq u shfaq në një foto me Blagoj Jakshiqin, gjyqtarin e Gjykatës për Kundërvajtje në Beograd, i cili u dënua ligjërisht, në kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor të Federatës së Futbollit të Serbisë, në mars 2019. Deri në vitin 2002, gjyqtari Jakshiq ishte kryetar i Gjykatës Komunale në Mitrovicë, nga ku u transferua në Beograd, për t’u arrestuar në shtator të vitit 2011, dhe më pas u dënua për keqpërdorim të pozitës dhe përfitim të përfitimit pasuror.

Tjetër ngjarje e rëndësishme e javës ishte edhe pjesëmarrja e presidentes Vjosa Osmani në Samitin në Spanjë, ku refuzoi çdo takim me presidentin e Serbisë pa u ndërmarrë masa nga ndërkombëtarët për sulmin terrorit.

Lajme të ngjashme