Spahiu pretendon se njohja eventuale nga Ukraina do të kishte rol "vetëm propagandistik"
Njohja nga Ukraina pa dyshim se do ta ndihmonte shumë Kosovën në arritjen e njohjeve nga pesë shtetet mos-njohëse të BE-së. Por, sipas publicistit Nexhmedin Spahiu, kjo do të kishte veç “kuptim propagandistik”.
Profesori amerikan Edward P. Joseph ka argumentuar tash e sa kohë që njohja e Ukrainës do të mund t’i çelte rrugë Kosovës për të fituar edhe njohjen e pesë shteteve mos-njohëse të BE-së.
Sipas tij, kjo mund të ndodh shkaku se Ukraina ka fituar autoritet të madh moral pas rezistencës frymëzuese ndaj agresionit rus. Por, edhe për shkak se do të bindte shtetet mos-njohëse se arsyet për mos-njohëse – që përmendin ligjin ndërkombëtar – do të pushonin.
“E nënshkruar nga Bob Menendez dhe kryetarë të komisioneve për marrëdhënie me jashtë në Evropë. ShBA dhe BE nuk mund të injorojnë këtë thirrje për kuptimësi strategjike në politikat e tyre në Ballkan. Paralajmërimi kyç: ‘Mos adoptoni politika beogrado-centrise në rajon’. Nënshkruesit kyç nuk janë nga ShBA/BE, por nga Ukraina,” – tha së fundi ai.
Por, publicisti mitrovicas Nexhmedin Spahiu mendon krejt ndryshe.
Në një paraqitje televizive për Top-Channel, ai tha se njohja eventuale nga Ukraina do të kishte kuptim “thjesht propagandistik”.
“Ç’është e vërteta njohja e Ukrainës në këtë moment do të ishte e rëndësishme për Kosovën. Dmth më tepër në kuptimin thjesht propagandistik se sa në atë real politik sepse Kosova nuk ka ndonjë marrëdhënie me Ukrainën, sepse edhe po të na njoh nuk është se do të bënte ndonjë biznes ku ta di çfarë me të...” – u shpreh ai.
Spahiu përmendi se si Ukraina nuk ishte pjesë e BE-së apo e NATO-s si arsyetim për të treguar pse kjo do t’i shërbente thjesht ‘propagandës’.
