Sot takimi Kurti – Krasniqi: A do të zhbllokohet konstituimi i Kuvendit?
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dje e ka ngritur flamurin e bardhë. Me qëllim të daljes nga ngërçi dhe konstituimit të Kuvendit, ai ka ftuar në takim kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixiku.
Derisa LDK-ja ka refuzuar këtë ftesë, PDK-ja është treguar e gatshme që sot në ora 8:30 të takohet me Albin Kurtin.
Duke iu përgjigjur letrës së Kurtit, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka treguar pse do të takohet me të parin e VV-së.
“Duke besuar thellësisht se Republika e Kosovës ka nevojë urgjente për zhbllokim institucional dhe për rikthimin e funksionimit të rregullt të institucionit më të lartë legjislativ, si dhe për t’i hapur rrugë afateve kushtetuese për themelimin e Qeverisë, do t'i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese për takim”, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në “Facebook”.
Ai e ka ftuar Kurtin që të reflektojë duke e ndryshuar kandidaten për kryetare të Kuvendit.
“Në këtë frymë, e inkurajoj z. Kurti që të reflektojë me përgjegjësi mbi situatën aktuale dhe të shfaqë vullnet të sinqertë për të mundësuar formimin e institucioneve të reja, në mënyrë që Kosova të ketë sa më parë një Kuvend dhe një Qeveri legjitime e funksionale.
Në këtë kontekst, gjetja e një kandidateje apo kandidati të përshtatshëm, që gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve, do të ishte një hap i rëndësishëm përpara”, ka shkruar ai, duke treguar se pas takimit do të jep të gjitha detajet.
“Natyrisht, për çështjen e nënkryetarëve të Kuvendit nuk ka asgjë për të diskutuar, pasi kjo është një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta dhe e përcaktuar qartë. Partia Demokratike e Kosovës, sikur gjithmonë, do të vazhdojë të sillet me përgjegjësi dhe seriozitet institucional, në përputhje me interesin shtetëror dhe qytetar.Të gjitha qëndrimet e detajuara të PDK-së do t’i bëjmë publike edhe nesër, gjatë dhe pas takimit, përmes një konference për media”, ka shkruar Krasniqi.
Ndryshe nga PDK-ja, LDK-ja ka refuzuar këtë ftesë.
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se kjo parti nuk do ta mbështesë asnjë anëtar të VV-së për pozitën e kryetarit të Kuvendit, pasi zgjedhja e personit në krye të këtij institucioni kërkon "marrëveshje politike", të cilën, tha ajo, nuk mund ta bëjnë me LDK-në.
“Nuk kemi votë për asnjë anëtar të LVV si kryekuvendar, teksa për nënkryetar e mirëkuptojmë që nuk është barra e njëjtë e neutralitetit dhe jemi dakord këdo që e propozojnë dhe e votojmë si pako. Një nënkryetar na takon me Kushtetutë, është e drejtë që e kemi fituar me rezultat zgjedhor, andaj nuk kemi pse ta diskutojmë me kryetarin e VV. Ndërkaq, kryekuvendari kërkon marrëveshje politike – por jo me ne”, ka thënë deputetja e LDK-së për Nacionalen.
Sipas saj, LDK-ja nuk ka çka të diskutojë me VV-në.
“Në takim nuk marrim pjesë, meqë e mësipërmja qartëson mjaftueshëm dhe nuk kemi pse të diskutojmë asgjë shtesë. Për kryekuvendar, le të diskutojë me partitë që kanë gatishmëri të votojnë kandidatë të tjerë të VV.”, ka thënë Kica-Xhelili.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kuti, dje ka kërkuar një takim me liderët e LDK-së dhe PDK-së më 1 maj, me synimin për të diskutuar formimin e institucioneve të reja, pas ngërçit institucional të krijuar si pasojë e dështimit për të konstituar Kuvendin e Kosovës.
“Duke u bazuar ne Kushtetutë, tre nënkryetarë do të jenë nga tri partitë që fituan më së shumti ulëse, andaj ju ftoj për një takim të përbashkët edhe me z. Memli Krasniqi, kryetarin e PDK-së, në sallën N-204 te Kuvendit të Republikës se Kosovës, nesër (e enjte), 1 maj 2025, në orën 8:30. Me shpresë në përgjigje pozitive, ju përshëndes”, thuhet mes tjerash në letrën e Kurtit në adresë të LDK-së dhe PDK-së.