Sot mbahet Provimi i Maturës Shtetërore
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka njoftuar se sot do të mbahet Provimi i Maturës Shtetërore.
Përmes një njoftimi, MASHTI ka treguar se provimi, i cili do të fillon prej ore 10:00, do të organizohet në 178 qendra të testimit në të gjitha komunat e Kosovës.
Ministra ka treguar edhe për rregullat e provimit.
“Në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me shkollat, MAShTI ka realizuar të gjitha përgatitjet e duhura për organizimin e këtij provimi. Në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës ndërkaq, në çdo klasë do të lejohen më së shumti 15 maturantë. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit mbetet e përkushtuar për organizimin dhe zhvillimin e një procesi të mirëfilltë e të besueshëm, prandaj kërkon që çfarëdo parregullsi eventuale në qendrën e testimit, të raportohet me shkrim në DKA dhe në MAShTI”, është thënë në njoftim.
Ministria ka bërë me dije se do të ndalohet rreptësisht mbajtja e telefonit brenda qendrave të testimit.
“Testi do të organizohet në 178 qendra të testimit. Këtë vit, në sallën e testimit (klasat) përveç administruesve do të jetë edhe një mbikëqyrës (student absolvent ose të nivelit master). Për të mos ndikuar në proces dhe sipas rregullave të administrimit të testit, pas orës 10:00 (koha kur fillon testi) nuk lejohet asnjë person tjetër brenda qendrave të testimit përveç personave përgjegjës për mbarëvajtje të testit”, është thënë në njoftim.