Sot: Kosova dhe Serbia dërgojnë propozimet për dinarin në Bruksel - NACIONALE

Sot: Kosova dhe Serbia dërgojnë propozimet për dinarin në Bruksel

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kosova dhe Serbia dorëzojnë sot propozimet e tyre rreth përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

Të martën në Bruksel, janë takuar Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviqi me ndërmjetësimin e Miroslav Lajçak, derisa të dyja palët, janë pajtuar që propozimet të shkojnë në BE deri sot.

"Jemi pajtuar që me këtë çështje të vazhdojmë të hënën e ardhshme", shkroi Miroslav Lajçak në platformën X.

Pas këtij hapi, të dy palët, takohen sërish të hënën në Bruksel për të disktuaur rreth propozimeve.

Më 19 mars, në ditën kur edhe u zhvillua takimi Bislimi-Petkoviq, Departamenti amerikan i Shtetit, ka kërkuar që diskutimet për dinarin të vazhdojnë me urgjencë.

“Diskutimet për dinarin duhet të vazhdojnë me urgjencë” tha zëvendëszëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Vedant Patel.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësimin e tyre për vendimin e autoriteteve të Kosovës që të zbatojnë prej 1 shkurtit rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) e cila përcakton euron si valutën e vetme për pagesa me para të gatshme.

Kështu, serbëve të Kosovës u është pamundësuar përdorimi i dinarit serb.

Serbia deklaron se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për komunitetin serb në Kosovë dhe ua paguan atyre rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Komuniteti ndërkombëtar e ka përsëritur disa herë që nuk e kundërshton legjitimitetin e vendimit, mirëpo nuk është dakord me shpejtësinë e zbatimit të vendimit, pa ofruar alternativa për serbët në Kosovë.

Po të martën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se nuk do të pranohen propozime për dinarin që janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së.

“Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, si kryenegociator i Republikës së Kosovës, ndodhet në Bruksel dhe atje po i zhvillon bisedimet, me ç’rast nuk e di nëse do të ketë takim trelateral apo vetëm dy takime bilaterale me ndërmjetësin evropian dhe emisarin e posaçëm [të BE-së, Mirosllav] Lajçak. Besoj se ai duhet të na njoftojë se për çfarë temash është diskutuar saktësisht dhe çfarë konkluzionesh do të mund të jenë arritur. Por, më duhet të them se kjo nuk është çështje e dinarit, është çështje e Bankës Qendrore të Kosovës, institucion i pavarur i Republikës sonë. Pra, nuk është në pyetje a të ketë dinar ose jo, por a duhet të jetë BQK-ja institucion i pavarur ose jo. Unë besoj që duhet të jetë dhe ky është obligim yni kushtetues e ligjor. Dinari nuk është ndaluar në Kosovë, por Kushtetuta në nenin e saj të 11-të thotë që mund të ketë vetëm një valutë si mjet pagese dhe kjo duhet të jetë euro.

Ndërkohë, të gjitha problemet, të cilat mund t’i kenë qytetarët serbë, ne do t’i adresojmë me shpejtësi. Sërish, Banka Qendrore e Kosovës e cila prin në këtë proces - meqenëse rregullorja e saj e re e datës 27 dhjetor është vendim i pavarur i Bankës Qendrore - ajo i adreson me ta dhjetë hapat, të cilët i ka paraparë në një plan me fazën transitore tremujore.

Tash, më 27 mars do të bëhen tre muaj dhe unë besoj që të gjithë ata që e kanë parashikuar apokalipsin më 1 shkurt, nuk ndodhi as më 1 shkurt, as më 1 mars, e nuk do të ndodhë as më 1 prill”,tha veç tjerash Kurti për REL.

Lajme të ngjashme