‘Sot publikohet raporti’: Nis rrahja e tik-takeve të fundit të (mos)hapjes së Urës së Ibrit
Një milion e një gjëra janë thënë me siguri të madhe deklarative përveç një pyetje themelore: Çka për praninë e stacionuar të karabinierëve italianë në Urën e Ibrit?
KFOR-i pyetur nga REL-i ditë më parë se çka do të veprojnë kur t’u kërkohet zhvendosja e tyre nga “prania fikse” për hapjen e rrugës për qarkullim të automjeteve kanë thënë veçse që “nuk duam të spekulojmë për ndonjë skenar në të ardhmen”.
Forca Paqembajtëse e NATO-s në vend nuk e ka dhanë as edhe një indikacion të vetëm se do të lëshojnë rrugën duke e bërë të ditur që s’e mbështesin hapjen e njëanshme të urës të inicuar nga qeveria kosovare.
Për Ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, ballafaquar me këto qëndrime të KFOR-it, ky i fundit i ka flakur tutje për “çështje të mbyllur, vendim të marrë” duke e përjashtuar si temë që do të mund të përfundonte në tryezë të dialogut.
Por, në çështjen e “pranisë fikse” të KFOR-it, Sveçla s’ka pasur përgjigje.
Sot pritet publikimi i raportit të vlerësimit teknik të qëndrueshmërisë së Urës së Ibrit, ka konfirmuar për media Zëvendës Ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
Ky raport shënon shterrjen e procedurave të iniciativës për hapjen e urës. Me fjalë tjera, pas publikimit të këtij raporti, qeveria kosovare ngelet pa asnjë arsye institucionale që të mos procedojë me hapjen e urës për automjete.
Sveçla s’ka dhënë datë konkrete për hapjen e urës, përveçse i është referuar rezultimeve të këtij raporti që pritet të dalë sot.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në anën tjetër duke folur për media e dha që qeveria kosovare do të provojë “hapje të dhunshme” të urës të mërkuren ose enjten (14-15 gusht). Ky i fundit u shpreh i shpresshëm dhe se “beson” që KFOR-i nuk do të lejojë hapjen.
Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje thuajse profetikisht e kanë dhënë hapjen e saj dita-ditës; teksa kanë mprehur diskursin e tyre kundër opozitës se s’po e mbështesin hapjen e urës; që, sërish, sipas tyre, po bëhet.
Me sigurinë deklarative kaq të madhe, jo pak kush e ka parë situatën edhe në potencial të një acarimi deri në përballje mes autoriteteve kosovare dhe KFOR-it.
Imazhe prej më të rëndave kanë skicuar edhe nga opozita, të cilët duke e përkrahur në plotni hapjen e Urës së Ibrit si proces bashkërendimi dhe bashkëpajtimi me aleatët të sigurisë; kanë paralajmëruar edhe një friksione të frikshme.
“Nëse i keni bindur aleatët, hapeni!”, shkroi Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhijku, duke vazhduar të shtjellojë edhe të kundërtën e kësaj medaljeje.
“Në të kundërtën, hapja e urës pa ta, nënkupton konfrontim me ta. Imazh më të shëmtuar se një ushtar amerikan përballë një polici kosovar nuk ka. Automjeti ushtarak me flamur amerikan, përballë një veture të Policisë së Kosovës, është dhuratë për armiqtë tanë! Këto pamje populli i Kosovës as nuk do t'i pranojë e as nuk do t'i tolerojë”, tha ai.