Sot afati i fundit për zgjedhjen e presidentit: A do të propozojë VV-ja edhe një kandidat, apo do të kemi një krizë të re?
Sot përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës. Partia më e madhe në vend dje ka propozuar vetëm Glauk Konjufcën si kandidat për president.
Propozim i vetëm një kandidati nga VV-ja është kritikuar prej partive opozitare. Këto të fundit kanë bërë me dije se ky është veprim i qëllimshëm e VV-së për të bllokuar nisjen e procedues për zgjedhjen e presidentit.
Pas zyrtarizimit të kandidaturës së Konjufcës, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se vetëm me një kandidat nuk mund të nis procedurën.
“Në cilësinë e kryetares së Kuvendit kam pranuar vetëm një kandidaturë për president, e cila është propozuar nga 30 deputetë nënshkrues. Sipas dokumentacionit, një pjesë e deputetëve nga Grupi Parlamentar i VV-së dhe disa deputetë nga grupi multietnik kanë nominuar Glauk Konjufcën”, ka deklaruar ajo në një konferencë për media.
PDK-ja ka vlerësuar se me propozimin e vetëm një kandidati shumica parlamentare po prodhon krizë të re politike
“Partia Demokratike e Kosovës shpreh keqardhjen e saj që për shkak të papërgjegjshmërisë së shumicës parlamentare dhe mosgatishmërisë së z. Kurti për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse apo ndërpartiake, vendi po përballet me rrezikun e moszgjedhjes së Presidentit të ri dhe po shkon drejt një krize të panevojshme institucionale. Zgjedhja e Presidentit nuk është garë për opozitën dhe nuk do të duhej të ishte as lojë politike për shumicën parlamentare. Numrat në Kuvendin e Kosovës janë të qartë dhe detyrimi kushtetues i shumicës parlamentare është të sigurojë funksionimin normal të institucioneve”, ka vlerësuar PDK-ja.
Edhe LDK-ja ka vlerësuar se arritja e një konsensusi për çështjen e presidentit nuk është garë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës ka besuar gjithmonë se procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të zhvillohet me seriozitet të plotë dhe me përgjegjësi institucionale, si dhe në frymën e vërtetë të konsensusit që kërkon Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Takimet e deritanishme ndërmjet subjekteve politike kanë qenë konsultative, me qëllim gjetjen e një kandidati konsensual për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore. Konsensusi nuk është garë politike dhe nuk mund të ndërtohet si proces ku njëra palë propozon emra, ndërsa të tjerat ftohen vetëm për t’i mbështetur ata. Konsensusi nënkupton një proces të përbashkët diskutimi dhe dakordimi për një figurë që përfaqëson unitetin institucional të vendit dhe gëzon besimin e gjerë parlamentar”, ka vlerësuar LDK-ja, duke e kritikuar qasjen e VV-së.
“Qasja e Lëvizjes Vetëvendosje! nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e këtij konsensusi. Përkundrazi, ajo e trajton këtë proces si një garë politike e jo si përpjekje për të arritur dakordim politik. Një qasje e tillë nuk i shërben as frymës së Kushtetutës dhe as nevojës së vendit për stabilitet institucional. LDK-ja vlerëson se mënyra se si është zhvilluar ky proces nga ana e VV-së nuk krijon kushtet për zgjedhjen e Presidentit dhe nuk dëshmon qëllim të mirëfilltë për të arritur një marrëveshje të gjerë politike. Zgjedhja e Presidentit është një proces që kërkon maturi, përgjegjësi dhe vullnet të vërtetë për bashkëpunim ndërmjet subjekteve parlamentare”, ka vlerësuar LDK-ja.
Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka bërë me dije se 30 nënshkrime ia kanë ofruar edhe presidentes aktuale Vjosa Osmani.
Në konferencën për media, ajo ka thënë se Osmanit i ka refuzuar këto nënshkrime.
“I kemi ofruar Vjosa Osmanit nënshkrimet për kandidaturën e saj, edhe pse nga ajo që dimë asnjë subjekt tjetër nuk e ka bërë një gjë të tillë. Madje kemi pasur edhe deklarata të subjekteve politike, në këtë rast të Partia Demokratike e Kosovës-së, për mosmbështetjen e Vjosa Osmanit”, ka thënë Nagavci.
Por, kabineti i presidentes Osmani e ka mohuar një gjë të tillë.
Learta Hollaj, këshilltare e Osmanit ka thënë se VV-ja nuk ia ka ofruar presidentes asnjë votë.
“Nëse dikujt i thoni eja veç sa për formalitet bëhu kundërkandidate e z. Glauk Konjufca, pra veç sa për numër, në mënyrë që pastaj të mund ta fajësojmë së bashku opozitën për shkuarje në zgjedhje, a ka më turp? Pra Presidentes nuk i keni ofruar asnjë votë për t’u rizgjedhur por i keni kërkuar që të bëhet formalitet e numër në mënyrë që sot të dilni me manipulime të tilla”, ka shkruar ajo në profilin e saj në Facebook.