Sot afati i fundit për konstituimin e Kuvendit: A do ta shkel Kurti sërish Kushtetutën?
Sot është afati i fundit për konstituimin e legjislaturës së 11-të.
Ndonëse 7 gushti është data e fundit, sipas Kushtetutës së Kosovës, për konstituimin e Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka njoftuar se gjatë ditës së premte mund të thirret vazhdimi i seancës, e cila ka filluar dhe dhe është ndërprerë pasi VV-ja kërkoi kohë për të propozuar emrin e Kryetarit të Kuvendit.
As lideri i VV-së, Albin Kurti, nuk ka dhënë ndonjë shenjë se mund të thirret shpejt vazhdimi i kësaj seance.
Në një konferencë për media dje, ai ka bërë me dije vazhdimi i seancës konstituive do të ftohet vetëm kur të arrihet marrëveshja për zgjedhjen e presidentit të ri.
Ai ka thënë se në të kundërtën konstituimi i Kuvendit nuk do të kishte asnjë vlerë.
“Vetëm atëherë kur ta kemi arritur dakordimin për çështjen e presidentit të procedojmë me konstituimin e institucioneve të tjera. Herën e kaluar e pamë se pa e zgjedhur çështjen e presidentit kot e konstotujme Kuvendin apo e formojmë qeverinë. Sepse vendi u dashtë të shkonte në zgjedhje”, ka thënë Kurti.
Ai ka ftuar liderët e partive politike që të iu përgjigjen thirrjeve të tij për të biseduar rreth kësaj çështje.
“Është e nevojshme të ju kthehemi bisedimeve që të zgjidhim çështjen e presidentit dhe kur ta kemi një marrëveshje ta ftojmë vazhdimin e seancës konstituve. Pra, kur te jemi siguruar se kemi bërë çdo gjë për të evituar shkuarjen edhe në një palë zgjedhje të panevojshme për shteti”, ka thënë Kurti.
Njohësit e çështjeve kushtetuese kanë bërë me dije se afati i fundit për konstituimin e Kuvendit është afati 30 ditorë pas certifikimit të rezultateve, i cili është përmendur edhe në aktgjykimin e fundit.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetues, Enver Hasani, ka bërë me dije se çdo zvarritje e mëtutjeshme është shkelje kushtetuese.
“Përveç kësaj, më lejoni të them se zoti Kurti duhet ta dijë që aktgjykimi i para fundit i Gjykatës Kushtetuese e ka sqaruar se Kuvendi duhet të mblidhet dhe të konstituohet brenda afatit tridhjetëditor nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Mirëpo, tashmë është e qartë se Kurti vazhdimisht e interpreton Kushtetutën në mënyrë abuzive. Siç duket, ai tani se afati prej tridhjetë ditësh vlen vetëm për thirrjen e seancës së Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve nacionale”, ka thënë Hasani.