Alarmon Sonja Biserko: Ideja e Serbisë së Madhe nuk është mposhtur, Lista Serbe u krijua për destabilizimin e Kosovës - NACIONALE

Alarmon Sonja Biserko: Ideja e Serbisë së Madhe nuk është mposhtur, Lista Serbe u krijua për destabilizimin e Kosovës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sonia Biserko, intelektuale veterane në Serbi, ka dhënë një intervistë të gjatë për Radio Kosovën, ku ka folur për shumë çështje aktuale politike, përfshirë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Biserko, që është kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, e ka kritikuar ashpër Aleksandar Vuçiqin, presidenti i Serbisë, Listën Serbe e Kishën Ortodokse të Serbisë, ndërsa ka alarmuar se ideja e Serbisë së Madhe nuk është mposhtur. Çka tha zonja Biserko?

Që në hyrje të intervistës relativisht të gjatë, Biserko konkludon se Serbia nuk e ka pranuar realitetin e Kosovës së pavarur, gjë e cila ndikon në krejt mënyrën se si ndërtohen marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë, por edhe jetës së serbëve në Kosovë.

“Është problem mjaft i qartësuar deri tani. Së pari Beogradi nuk ka treguar dëshirë dhe gatishmëri që në dialog të hyjë duke e pranuar realitetin, e që është njohja e pavarësisë së Kosovës, sepse siç po e shohim gjatë kohës po sfidohet ky fakt dhe shumë marrëveshje të tjera. P.sh: kemi marrëveshjen për tabela, ose tërheqja e serbëve nga të gjitha institucionet, vendosja e barrikadave etj. Pra, të gjitha ato çështje që Kosova është munduar t’i zbatojë nga ato marrëveshje, janë mohuar ashpër duke u kërkuar vazhdimisht shtyrje dhe gjëra të ngjashme nga ana e Serbisë. Pra, nuk ka vullnet që ai dialog të përfundojë dhe të pranohet ky realitet i ri në rajon. Por këtu përgjegjësinë kryesore e mban Beogradi.” – theksoi Biserko për Radio Kosovën.

Zonja Biserko ka folur edhe për Listën Serbe, e cila parti, sipas saj, nuk përfaqëson interesat e serbëve në Kosovë, por është instrument i Serbisë për të destabilizuar Kosovën. Aktivistja veterane për të drejtat e njeriut ka përmendur edhe kryeministrin Albin Kurti, duke theksuar se ai portretizohet në mediet serbe si radikal.

“Fatkeqësisht serbët lokalë i vuajnë pasojat më së shumti, sepse janë instrumenti i Beogradit që nga 2012, kur është themeluar “Lista Serbe.” Që nga ajo kohë ka qenë e qartë që ajo do të jetë në funksion të Serbisë, duke destabilizuar Kosovën edhe përmes mosmarrëveshjeve në parlament, sepse serbët kanë të drejtën e vetos në disa çështje kryesore. Ata nuk përfaqësojnë interesat e serbëve në Prishtinë dhe kjo, mendoj, se është problemi i tyre, sepse interesi dhe qeverisja e tyre menaxhohet nga Beogradi, i cili në fakt ndjek interesat e tij më shumë se ato të serbëve lokalë, duke bllokuar kështu integrimin e tyre. Ka disa shembuj pozitivë të integrimit të serbëve por që fatkeqësisht mediet tona nuk raportojnë për to, zakonisht raportojnë vetëm për gjëra negative se si Kosova është shtet mafioz apo se si kryeministri Albin Kurti është radikal ose diçka të tillë.” – shtoi Biserko.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkut vlerësoi se veriu i Kosovës është një çerdhe e krimit. Ajo u sugjeroi serbëve lokalë në Kosovë që të dalin në zgjedhjet e ardhshme në katër komunat në veri, kurdo që ato mbahen.

“A e dini si, fillimisht bashkësia ndërkombëtare i garantoi Qeverisë së Kosovës se serbët lokalë do të dalin në këto zgjedhje, por ata nuk dolën, ndërkohë ndihej nevoja që të mbushej disi ai boshllëk ligjor, i cili edhe është karakteristikë e veriut të Kosovës, sepse në veri nuk mbizotëron sistemi i drejtësisë, as i Kosovës e as ai i Serbisë, por veriu është vetëm një siç do të thosha, çerdhe e krimit.” – tha ajo.

Gati në fund të intervistës, zonja Biserko e jep edhe një interpretim alarmues, duke shkruar se ideja e Serbisë së Madhe asnjëherë nuk është mposhtur, por vetëm është heshtur.

“Problemi është në Beograd. Unë nuk po them që këto shtetet për të cilat po flasim nuk kanë i problemet e tyre të brendshme, të cilat edhe mund të jenë burim i tensioneve, por fakti kryesor është që Beogradi nuk po e pranon realitetin e ri të krijuar në rajon. Të njëjtën retorikë e përdorë sot Rusia në luftë me Ukrainën dhe fatkeqësisht bashkësia ndërkombëtare nuk ka mësuar nga luftërat në ish- Jugosllavi, kur bota serbe është shumë e afërt me botën ruse. Pra nuk është kuptuar se ideja për Serbinë e Madhe nuk është mposhtur, por vetëm është heshtur për një kohë. Dhe e tërë politika zyrtare e Beogradit vazhdon të udhëhiqet mbi këtë çështje. Në uebfaqen e Qeverisë së Serbisë për shembull kemi Strategjinë për Diasporën në Rajon ose Karta për Hapësirën Kulturore Serbe, përmes së cilës ka ambicie që një ditë të shndërrohet në hapësirë politike për serbët e rajonit. Pra, në mënyrë absolute serbëve në rajon nuk u lejohet të jenë të pavarur në vendimet e tyre, ose në vendet ku ata jetojnë.” – përfundoi ajo.

Lajme të ngjashme