Sondazhi befasues: Bie për 6 për qind përkrahja e kosovarëve për lidershipin e ShBA-së - NACIONALE

Sondazhi befasues: Bie për 6 për qind përkrahja e kosovarëve për lidershipin e ShBA-së

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shqiptarët në përgjithësi, posaçërisht ata në Kosovë, janë ndër njerëzit më pro-amerikanë në planetin Tokë. Përkrahja për Shtetet e Bashkuara të Amerikës është evidentuar edhe në anketën e fundit të “Gallup”-it, kompanisë së njohur amerikane për sondazhe e analiza.

Në raportin e titulluar “Vlerësimi i liderëve botërorë: ShBA kundër Gjermanisë, Kinës dhe Rusisë”, Kosova renditen e para në Evropë për nga aprovimi i lidershipit të ShBA-së. Më saktë, 84 për qind e kosovarëve e aprovojnë lidershipin amerikan, ndërsa 6 për qind nuk e aprovojnë atë. Ndërsa 10 për qind kanë refuzuar të përgjigjen ose nuk e dinë.

Megjithatë, ekziston një ndryshim. Për dallim nga viti 2022, në vitin 2023 përkrahja apo aprovimi i lidershipit amerikan në Kosovë ka rënë për 6 për qind.

E dyta në këtë rënditje është Polonia, me 73 për qind të aprovimit të lidershipi amerikan gjatë vitit 2023. Ndërsa e treta, jo befasisht, është Shqipëria. Në këtë vend, shqiptarët kanë një aprovim prej 63 për qind për lidershipin amerikan.

Ndërsa vendet e tjera të rajonit kanë mendime më pak të favorshme për lidershipin amerikan. Për dallim nga qytetarët e Kosovës e Shqipërisë, vendet e tjera të rajonit nuk kanë mendime aq pozitive për lidershipin amerikan.

Në Maqedoni, ndonëse shënoi rritje për 3 për qind, vetëm 37 për qind e qytetarëve e aprovojnë lidershipin amerikan, ndërsa 46 për qind nuk e aprovojnë.

Edhe qytetarët e Malit të Zi kanë një mendim jo të favorshëm për lidershipin e ShBA-së. Vetëm 30 për qind e tyre e aprovojnë lidershipin amerikan, ndërsa 49 për qind nuk e aprovojnë. Në Bosnjë përkrahja është edhe më e vogël, me vetëm 27 për qind.

Në Serbi aprovimi i lidershipit amerikan qëndron edhe më keq, me vetëm 10 për qind të njerëzve që aprovojnë lidershipin amerikan dhe me 69 për qind të qytetarëve që nuk e aprovojnë. Serbia është vendi i parafundit në këtë renditje, ndërsa vetëm Rusia ka mendim më të pafavorshëm për lidershipin amerikan, me vetë 6 për qind përkrahje e 88 për qind mosaprovim.

Gjetjet tjera

Sipas këtij sondazhi të kompanisë amerikane të analizave, “Gallup”, përkrahja e ukrainasve për udhëheqësinë e Shteteve të Bashkuara shënoi rënie të ndjeshme më 2023, në krahasim me vitin 2022.

Në bazë të të dhënave të këtij raporti, vetëm 53 për qind e ukrainasve e përkrahin udhëheqësinë e Shteteve të Bashkuara, 25 për qind nuk e mbështesin atë, ndërsa 25 për qind nuk kanë ditur si të përgjigjen ose kanë refuzuar.

Duhet të theksohet se kjo shifër përbën rënie prej 13 për qind të përkrahjes së ukrainasve për udhëheqësinë e ShBA-së në krahasim me vitin 2022.

Shtetet e Bashkuara janë përkrahëset kryesore të Ukrainës në luftën kundër Rusisë, duke i dhuruar miliarda dollarë ndihma ushtarake.

Këtë javë, Senati i ShBA-së i miratoi dhe presidenti Joe Biden i nënshkroi ndihmat shtesë me vlerë prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën.

Në Rusi, përkrahja për udhëheqësinë e ShBA-së është vetëm 6 për qind, 88 për qind janë kundër saj, ndërsa 6 për qind nuk kanë ditur si të përgjigjen ose kanë refuzuar.

Në krahasim me vitin 2022, përkrahja e rusëve për udhëheqësinë e ShBA-së më 2023 u rrit për 2 për qind.

Lajme të ngjashme