Logjika e pakapshme e Gërvallës, tash ia merr mendja për ”mbledhje të jashtëzakonshme” të Komitetit të Ministrave
Vetëm një hap larg ishte anëtarësimi i vendit në Këshill të Evropës, por hapi s’u mor.
Kushti ishte dërgimi i draft-Statutit të Asociacionit (të hartuar nga BE) për rishikim kushtetues para mesit të muajit maj, gjë që s’u bë.
Në mes të majit mbledhen çdo vit 46 ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, ku vendimet merren me dy-të-tretat, siç është rasti për të pranuar ose jo anëtarë të rinj. E dy të tretat, Kosova, në parim i ka; në përmbajtjen e kushtëzimeve, jo.
Në mbledhjet që janë në nivel zëvendës-ministrash të jashtëm vendimet merren vetëm me unanimitet: pra, ose 46 vota ose hiç.
Pas dështimin për t’u bërë pjesë qeveria provoi të manovrojë – përmes ministres së palavdishme të jashtme, Donika Gërvallës – se do të dërgojnë një draft-Statut të shkruar vetë në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit; për t’u mos u pranuar as nga mbështetësit më të mëdhenj të vendit.
Të nesërmen letra u tërhoq nga Gërvalla; për çka absurdi shkonte duke e trashur shumë-e-më-shumë.
Mbledhje të jashtëzakonshme të ministrave për të trajtuar aplikimin e Kosovës askush s’pret; për më tepër jo pa u plotësuar kushti i saktësuar nga Berlini, Parisi dhe Roma.
Dështimi që dukej sikur dy-plus-dy që bëjnë katër; nuk u quajt si i tillë. Gërvalla tha se “edhe ashtu nuk e kishim objektiv anëtarësimin e plotë”, duke sfiduar të gjitha paramentrat e mendjes së shëndosh qytetare.
“Në planin tonë gjithçka që ndodh para majit të vitit të ardhshëm është brenda kornizave kohore të cilat i shohim të cilat i shohim si objektivi për anëtarësimin tonë në KiE”, tha ajo për “Telegrafin” ditë më parë.
Por, tash në moskonsistencën konsistente të Gërvallës, vjen edhe sfida e rradhës karshi logjikës.
Tash shprehet se synon të krijojë situatën e atillë që të mbledhë të të 46 ministrat e shteteve anëtare për një mbledhje të jashtëzakonshme për të pranuar Kosovën në KiE; por duke mos e bërë të “jashtëzakonshmen” e plotësimit të kushtit të hartuar nga po këta shtete.
“Po punojmë që të ndodhë një takim i tillë”.
“Me datë 25 qershor do të jem përsëri në Strasburg ku do të kem takime të ndryshme me struktura udhëheqëse të Këshillit të Evropës. Ne do të vazhdojmë çdo ditë të punojmë që të ndodhë një takim i tillë i jashtëzakonshëm, duke shpresuar që pasi të ketë kaluar faza e zgjedhjeve, nominimi i personave të ri përgjegjës të në BE dhe të kemi një fazë më të mirë për të ecur përpara”, ka thënë ajo në TeVe1.
‘Dështimi’ dhe përdredhja e tekstit të Bakoyanis
Raporti i Dora Bakoyanis është lexuar vetëm në pjesët e këndshme.
Publikut qeveria ia këndoi vetëm ato pjesët më melodike “ku na shkon zani”.
Pika e 11-të e atij raporti u bë refreni i vetëpëzgjedhur, ndërsa proza e hidhët ku ndërtohet vija argumentuese e saj u la për tekst të palexueshëm.
P.sh kur vetë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehet se “Brukseli nuk është Strasburg”; kjo bie katërcipërisht në kundërthënie me Opinionin e Bakoyanis.
Pse? Sepse pika 35 e saj. Argumentimin e saj të trajtimit të aplikacionit për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës ajo e ndërton saktësisht nga “Brukseli” dhe Marrrëveshja e Bruksel/Ohrit.
Madje, ajo aty e shkruan pa-nje-pa-dy që “në vetë vendimin për ta bartur aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në Asamblenë Parlamentare, Komiteti i Ministrave iu referua atyre (Marrëveshjeve të Bruksel/Ohrit) dhe dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.
“Kjo është hera e parë në historinë e Organizatës (KiE-së) që, në konsiderimin e një aplikimi për anëtarësim, bëhet lidhje direkte me një proces politik që fascilitohet nga një organizatë tjetër politike” (Pika 35, Opinioni i Bakoyanis).
Prozë kjo e pakëndueshme në vokalin qeveritar...
Tjetra. Pika 39 e Opinionit të Bakoyanis. Ajo u drejtohet 46 ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të KiE-së, që janë nivel qeverish dhe instanca e fundit vendimmarrëse të kenë parasysh që për të pranuar ose jo anëtarësimin e Kosovës të shohin a është bërë progres drejt Asociacionit.
Por, këtë pjesë e ka heshtur qeveria, duke iu referuar vetëm pikës 11 që është qëndrim i Asamblesë Parlamentare, e jo instancë e fundit vendimmarëse.
“Themelimi i Asociacionit duhet të qëndrojë dukshëm lart në konsideratën e ardhshme të Komitetit të Ministrave rrweth aplikimit për t’u anëtarësuar Kosova në Këshillin e Evropës”.