S'mjafton het-triku i shtrenjtimit të rrymës gjatë Kurtit, kërkohet e katërta: Arsye edhe rritja e pagës minimale
- Het-triku i shtrenjtimit të rrymës gjatë pushtetit të Albin Kurtit, kërkon të shënojë edhe për të katërtën herë në fatura të qytetarëve.
KESCO ka aplikuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë që të miratojë edhe një shtrenjtim të ri prej më shume se një të pestës e çmimit aktual: një mori arsyesh, por edhe rritja e pagës minimale në sektorin privat të miratuar nga Qeveria në detyrë e Kosovës që nga janari dhe, në fazën e dytë, nga korriku në 500 euro.
Në dokumentin e dorëzuar te ZRrE-ja, KESCO shkruan kështu: (...) me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për rritjen e pagës minimale në 425 euro nga janari 2026 dhe në 500 euro nga korriku 2026, pritet një efekt zinxhiror në kostot operative të Furnizuesit me Shërbim Universal (...) do të ndikojë drejtpërdrejt në çmimet e shërbimeve esenciale të ofruara nga kompanitë partnere dhe nën-kontraktorët, si sigurimi fizik, pastrimi, mirëmbajtja dhe shërbimet teknike mbështetëse”.

KESCO në aplikimin për shtrenjtim të rrymës në ZRRE 21.4% për 2026 ka kërkuar të hyra lejuara prej 528.78 milionë euro (nga 435.93 milionë në 2025). Kompania justifikon rritjen me varësinë nga importi (9% e energjisë, por 29% e kostove), rehabilitimin 8-mujor të Kosova B1 që kufizon prodhimin vendor, "faktorin korrigjues" prej 49.5 milionë eurosh për humbjet e 2025-s, shpenzimet operative të rritura nga inflacioni dhe liberalizimi i tregut, si dhe rritjen e pritshme 20% të tarifave të rrjetit.
ZRRE supozohet të vendosë deri më 1 prill.
- “Tepër shtrenjtë, kur flejmë mbi gjithë këtë energji”. (Albin Kurti, 2019)
Fjala e dhënë e Albin Kurtit para se të ngjitej në pushtet ishte lirimi i çmimit të energjisë; ndërsa kur kërkesa për shtrenjtimin e katërt gjatë mandatit të tij veçse trokiti sot në derë, pushteti s’është bërë i gjallë.
Kur ky lajm bëri ballinat dhe lajmin kryesor të ditës, Albin Kurti i Vetëvendosjes dhe mandatari i ardhshëm i qeverisë, ishte në një kompani duke artikuluar ankesa.
Qytetarët, tha ai, po ngrohim dhomat me rrymë me shumë se ç’është normale.
“Duhe me menaxhu faktin se po ngrohemi me rrymë tepër shumë. Përveç asaj që ne ngrohemi me rrymë, ne ngrohemi shumë me rrymë. Temperaturat në dhoma i kemi dukshëm më të larta se ç’është normale. Kena qef nxehtë. Sa i përket konsumit neve na duhet me menaxhu ngrohjen”, tha ai.
Hykmete Bajrami e LDK-së kritikoi kërkesën e KESCO-s për shtrenjtim të energjisë, duke e quajtur "mbushje xhepash të mafisë energjetike" me koston e qytetarëve.
Ajo paralajmëroi efektin zinxhir në çmimet e produkteve dhe kujtoi premtimin e Kurtit për energji më të lirë.
“E kam thënë edhe më herë, po e përseris prapë se trashja e xhepave të tregtarëve të energjisë, pjesë e mafisë energjetike, bëhet duke u zbrazur xhepat qytetarëve”, tha ajo.
Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimit për rritje çmimi të energjisë me 21%, duke e cilësuar atë "goditje të rëndë ndaj familjeve" që janë buzë mbijetesës.
PDK e konsideron të papranueshme transferimin e barrës së keqmenaxhimit tek konsumatorët, duke theksuar se energjia është nevojë bazike.
PDK i ka bërë thirrje Qeverisë dhe ZRRE-së të refuzojnë kërkesën, duke u zotuar për zbardhjen e aferave në sektorin energjetik dhe mbrojtjen e interesit publik.
“Në një kohë kur qytetarët tanë po përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve, paga të ulëta dhe kosto jetese gjithnjë e më të lartë, një rritje e tillë e tarifave të energjisë e thellon edhe më tej krizën sociale dhe ekonomike në vend”, thanë ata.
Ndërsa, Burim Ramadani nga Aleanca për Ardhnërinë e Kosovës e ka quajtur “çmenduri” një rritje të sërishme dhe pyeti se “ku po shkojnë paratë?”.
“Të zbritet çmimi i rrymës, jo të rritet! Shpërthimi i pakënaqësisë do të ndodh edhe nëse kështu siç është vazhdon çmimi i rrymës, lëre më nëse rritet edhe më shumë Kjo është çmenduri! Ku po shkojnë paratë?,” tha Ramadani.