Skandaloze: RTK financohet nga buxheti i Kosovës, por 'detyron' qytetarët të paguajnë 20 euro për t’i parë të gjitha ndeshjet e Botërorit
Kampionati Botëror i Futbollit, që njihet si ngjarja më e madhe e futbollit dhe sportit në botë, tashmë ka filluar më 11 qershor, ndërsa në Kosovë është përcjellë me polemika të mëdha për shkak të mënyrës së transmetimit të ndeshjeve nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK).
Kritika të ashpra ka pasur ndaj transmetuesit publik, Radio Televizionit të Kosovës (RTK), i cili i ka edhe të drejtat e transmetimit të të gjitha ndeshjeve të Kampionatit Botëror, mirëpo ka zgjedhur që vetëm një pjesë të tyre ta transmetojë, ndërsa shikuesit që dëshirojnë t’i shohin të gjitha ndeshjet janë të detyruar të blejnë pakon prej 20 eurosh nga TV Vala.
Gjatë Kampionatit Botëror do të zhvillohen 104 ndeshje, ndërsa në RTK mund t’i shikoni vetëm 64, ndërsa për t’i parë të gjitha duhet të abonoheni në Vala, çmimi i së cilës është 20 euro.

Ky veprim nga RTK po konsiderohet skandaloz dhe plaçkë ndaj qytetarëve, pasi që Televizioni Publik i Kosovës (RTK) financohet nga paraja publike, pra nga buxheti i Kosovës.
Qytetarët e Kosovës janë të detyruar të paguajnë edhe njëzet (20) euro për t’i parë të gjitha ndeshjet e Botërorit.
Duhet theksuar se qytetarët e Kosovës, përveç RTK-së, që i ka të drejtat e transmetimit, nuk kanë qasje në asnjë kanal tjetër brenda dhe jashtë territorit të Kosovës që transmeton Kampionatin Botëror, pasi që sipas ligjit ato televizione mbyllen apo bllokohen dhe dënohen nga KPM.
Për këtë vendim skandaloz të RTK, ka folur edhe ish redaktorja e këtij mediumi, Blerta Foniqi-Kabashi, ku sipas saj marrëveshja që RTK ka bërë me Telekomin, më shumë e ka demtuar Televizonin Publik të Kosovës se sa e ka ndihmuar.
“Sipas informatave që kam, marrëveshja e lidhur me Telekomin e ka dëmtuar RTK-në më shumë se sa e ka ndihmuar”, ka shkruar ajo.
Por ka pasur edhe shumë qytetarë që kanë shprehur indinjatën me këtë veprim nga ana e drejtuesve të RTK-së, disa nga reagimet e tyre edhe mund t'i shihni më poshtë:


Ndryshe, Kampionati Botëror do të zgjasë nga 11 qershori deri më 19 korrik 2026. Ky kompeticion madhështor, i cili po organizohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, do të dhurojë emocione për 39 ditë me radhë dhe do të përfshijë një numër rekord prej 48 kombëtaresh./Nacionale