Skandali i vajit e “mbyllja" e Klan Kosovës: A ishte kjo java më e rëndë me Qeverinë Kurti?
Java që po e lëmë pas ishte ndoshta më e rënda, për qytetarët prej kur Kurti mori pushtetin.
Kjo javë, që në fakt shënonte fundin e sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës, u karakterizua me zhvillime të tilla, saqë seanca e fundit për këtë sesion të Kuvendit, nuk u mbajt fare. Madje u bojkotua pikërisht nga Lëvizja Vetëvendosje. Afera vaji, e ajo që do të pasonte me Klan Kosovën, siç duket bën që pushteti të ikte në pushime para kohe.
Afera vaji
Skandali i cili u publikua në formë të audio-inçizimit, e që përfshinte ministren Rozeta Hajdari ishte i madh. Ajo kishte urdhëruar blerjen e një sasie të konsiderueshme vaj nga Polonia, për qëllime “fisnike”, mbushjen e hambarit të rezervave, por që mbushi vetëm kontot e kompanisë polkae, mbase jo vetëm.. sepse vaji nuk erdhi asnjëherë në Kosovë.
Të shqetësuar thellë e duke folur vesh më vesh, dy zyrtarë shtetërorë në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, flasin se si është kontraktuar e paguar vaji për Rezervat Shtetërore nga Polonia prej kompanisë Xanto, që është veçse një start-up polak dhe s’e ka as në rangun e aktiviteteve tregtimin e vajit: Mall ky i blerë por që nuk ka ardhur as njëherë. Gazetari i Nacionales Berat Buzhala ka siguruar një audio-regjistrim të kësaj bisede, identitetet e të cilëve s’i ka zbuluar, por edhe me intervenim në zë që identiteti i tyre të mos bëhet e ditur.
Gazetari Buzhala e nis duke folur për bisedën e zyrtarëve të MINT teksa shpegon se “Këtu janë nja dy-tre zyrtarë të shtetit të frikësum t’uj fol me njëri tjetrin, t’uj thanë që keq do m’u ba se s’ka ardh malli; na kanë qitë me nënshkru, Rozeta Hajdari, llogaria bankare, Ridvani dallaverxhia”.
Përgjimi nis kështu:
“A: Nuk e di kush na ka pagu, neve s’na kanë lanë, a di qysh, sekreti u kanë prej Ekzekutivit.
B: Na s’jemi shku atje me u deklaru, na veç e (nuk dëgjohet)...
A: Dy vendimet të kryeministrit, plus është një vendim këtu i ZKA-së që thotë se vetëm këta të Departamenti të Rezervës Shtetërore kanë qasje kontrata e n’këto. Pyetja te unë është aty, p.sh qysh i ke pranu? Unë i kom pranu në bazë të komisionit, vendimit të departamentit.
B: Se komisioni s’e ka pranu mallin na kur e kemi paguar”
Pra, siç keni mundur ta shihni gjatë javës, bëhet fjalë për vaj, në vlerë prej 300 mijë euro, i cili duket se u pagua por asnjëherë nuk erdhi nga Polonia.
Në lidhje me këto audio, pati lëvizje edhe të institucioneve të drejtësisë. Hetuesia gjatë javës ka vizituar Gazetën Nacionale dhe ka pranuar materialin e plotë të audio-inçizimeve.
“Mbyllja” e Klan Kosova
Ishte një vendim i MINT, që s’e pranonte ankesën e Klan Kosova, për ta ndryshuar dokumentacionin, i cili u publikua pas përfundimit të orarit të punës, ditën e fundit të punës për javën që po e lëmë pas.
Me këtë vendim i pezullohet licenca Klan Kosovës, e siç ishte paralajmëruar, programi i saj pritet të mbyllet, deri në një vendim të Gjykatës. Ky rast përveq se nxiti mobilizim të madh ndërmjet gazetarëve vendor, të cilët tashmë kanë organizuar një protestë për të hënën, pati reagime edhe jashtë vendit.
ShBA e BE u alarmuan, e u shfaqën të shqetësuar thellë, me këtë vendim brutal të Qeverisë.
Kurti e mbështet
Zyra e Kryeminsitri të Kosovës “mbështet plotësisht” organet që kryejnë detyrat e tyre, ka thënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me vendimin e djeshëm të ARBK-së për heqjen përfundimtare të licensës së biznesit, përkatësisht, mbylljen e televizionit “Klan Kosova”. Përmes një serie cicërimash në Tëitter, Albin Kurti, është shprehur se aplikimi i ligjit kundër “biznesmenëve të fuqishëm...në asnjë mënyrë nuk përbën sulm mbi lirinë e medias”.
"Të ndjekësh rregullat e regjistrimin është detyrë ligjore, e jo 'teknikalitet'", ka shkruar Kurti, teksa ka shtuar edhe se shtrirja e ligjit kundrejt "një shkelësi...nuk bën asgjë për të kërcënuar pluralizmin e medias".
"Në demokraci, organet e autorizuara për të vendosur një gjë të tillë nuk janë në Zyrë të Kryeministrit. Sidoqoftë, këto organe kanë mbështetjet e plot të Zyrës sonë për të kryer detyrat e tyre, përvballë interesave të fuqishmne të biznesmenëve të pasur në linjë kundër tyre".
Kurti operimin e Klan Kosovës e quan "sulm ndaj demokracisë tonë kur biznesmenë të fortë thejnë ligjin për përfitime financiare".
"Të shtrish sundimin e ligjit kundër shkeljeve të njerëzve të till - në asnjë mënyrtë - nuk përbën sulm mbi lirinë e medias", ka përfunduar ai.
Reagimet
Në lidhje me këtë temë, ambasadat në Kosovë kanë shprehur reagime të tyre të ashpra lidhur me vendimin. “Jemi në dijeni të vendimit dhe po e përcjellim këtë çështje për së afërmi.” – deklaronte ambasada e ShBA-së.
Tutje, ambasada amerikane ka deklaruar se vendimi ndaj Klan Kosovës duket duket të jetë marrë papritmas.
E vëmë në pah që duket se vendimi është marrë papritmas dhe që heqja e licencës së ndonjë medie është hap i rëndësishëm që kërkon shqyrtim të hollësishëm. Siç e kemi thënë vazhdimisht, mediat e lira dhe të pavarura janë thelbësore për demokracitë e forta dhe të qëndrueshme.” - përfundonte Ambasada e ShBA-së.
Në të njëjtën vijë ishin edhe ambasadat e tjera, përfshirë ambasadën e Gjermanisë dhe Zyren e BE-së në Kosovë, të cilat kritikuan këtë vendim të Qeverisë Kurti. Përveç tyre, AGK-ja dhe organizata ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e medias shprehën kritikat e tyre ndaj vendimit.
Sekretari Gjeneral i Federatës Evropianë të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, kishte karakterizuar këtë vendim si të turpshëm dhe kishte theksuar se "Kosova është në zi...".
“Kosova në zi... Tërheqja e certifikatës së biznesit të një kompanie mediatike është një akt jashtëzakonisht i rëndë. Sidomos kur flasim për transmetuesin kryesor privat të një vendi…Më vjen keq për miqtë e mi kosovarë dhe shoqërinë civile kosovare. Ata nuk i meritojnë praktika të tilla. Solidariteti im shkon për demokratët kosovarë. Turp për varrmihësit e lirisë së shtypit dhe pluralizmit mediatik. Turp për Albin Kurtin dhe qeverinë e tij.” – shkruante ai.
Demokracia vdes në errësirë
Protesta, e gazetarëve së bashku me shoqërinë civile është paralajmëruar të mbahet më 31 korrik, do të fillojë në ora 12:00 në sheshin "Zahir Pajaziti".
Motoja e kësaj proteste është "Demokracia vdes në errësirë," e cila shpreh qartë shqetësimin e gazetarëve dhe shoqërisë civile për vendimin e fundit të pushtetit.
"Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e medieve dhe organizatave të shoqërisë civile, më 31 korrik, e hënë, do të mbajë protestë në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.Protesta me moton “Demokracia vdes në errësirë”, do të fillojë në ora 12:00, në Sheshin Zahir Pajaziti. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i fton kolegët gazetarë, kameramanë e fotoreporterë, t’i bashkohen protestës paqësore të hënën," - thuhet në njoftimin e protestës.
