Skandalet për veç 365 ditë në Institutin e Mjeksisë Ligjore - NACIONALE

Skandalet për veç 365 ditë në Institutin e Mjeksisë Ligjore

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjatë kësaj të marte, rreth orës 8:00 të mëngjesit zjarri e përfshiu një pjesë të Institutit të Mjeksisë Ligjore. Aty ku ndodhen mbetje motore, arkiva e mostrat e rasteve. Por, siç tha ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nga vlerësimet e para, këto të fundit nuk janë dëmtuar.

Instituti i Mjeksisë Ligjore, vitin e fundit është shndërruar në një “fole” të skandaleve. Zhdukja e mostrave të aktivistit të VV-së Astrit Dehari, pezullimi i përgjegjësve, kushtet e rënda të punës e deri te djegia e objektit këtë të martë.

Çka ndodhi në IML për 365 ditë?

Rreth orës 08:00 të mëngjesit, nga drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, jam njoftuar që dy zyra në katin e dytë në objektin e IML, janë përfshirë nga zjarri.

Ekipet e zjarrëfikësve, policia, prokuroria menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Nga vlerësimet fillestare, nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së IML dhe mostrave. “ – shkroi këtë të martë ministrja Haxhiu, duke shtuar se sipas informacioneve të para s’janë dëmtuar mostrat.

Ky zjarr në IML erdhi vetëm një ditë, pas intevistimit të ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu, nga Prokuroria Speciale për Rastin Dehari.

Zhdukja e mostrave të rastit Dehari

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, 11 muaj më parë alarmoi për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se qasje në vendin ku ruheshin epruvetat e rastit Dehari, kanë vetëm tre persona. Si rrjedhojë, ajo tha se mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit.

Për këtë çështje, ajo tha se i ka njoftuar prokurorinë e shtetit dhe policinë.

“Mbrëmë, në orët orët e vona, jam lajmëruar se janë zhdukur disa mostra nga laboratori i toksikologjisë, që funksionon në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ky është një akt i rëndë e një akt kriminal. Për këtë arsye, mbrëmë i kanë njoftuar drejtorin e policisë dhe kryeprokurorin e shtetit. Neraksat-Mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, një epruvetë e urinës dhe një e lukthit. Nga këto, instituti dy epruveta me gjak ia ka dhënë institutit zviceran. Sipas informacioneve, mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit. Në vendin ku ruhen epruvetat, kanë qasje vetëm tre persona”- kishte thënë Haxhiu.

Për këtë rasti ishin pezulluar 4 zyrtarë: Nardi Sheqergjiu, Toksikolog Mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore, Flutura Goga, Udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, Anila Lakna, Teknike e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, Ilirjana Shala, Kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore.

Kthimi në punë e avancimi

Por, s’kaloi shumë e zyrtarët u kthyen në punë. kjo pas një vendimi të Komisionit të Ankesave, i cili kishte vlerësuar se ka pasur shkelje në vendimin për suspendim.

E pak muaj pasi i kthyen në punë të suspenduarit për rastin Dehari, dy nga zyrtaret e Komisionit të Ankesave që morën këtë vendim, janë avancuar në pozita. Këtë gazeta Nacionale ka konfirmuar nga disa burime brenda Instituti të Mjekësisë Ligjore, dhe një Emaili që iu ka shtuar gjithë stafit nga Ditor Haliti që është zv/drejtor i IML-së.

Valdete Ejupi që ka qenë kryesuese e komisionit i cili i riktheu në punë të suspenduarit e rastit Dehari, kohë më parë nga zyrtare për financa ishe emëruar zv/udhëheqëse e departamentit për administratë. Me vendimin e ri Ejupi është avancuar sërish. Tashmë në pozitën e zv/drejtoreshës së divizionit për mbështetje mjeko-ligjore.

Kurse, anëtarja e atij komisioni Bergita Curri nga eksperte e mjekësisë ligjore, me vendimin e ri është avancuar në pozitën e zv/drejtoreshës në Divizionin për Cilësi. Kjo, pak muaj pasi komisioni ku Curri ishte anëtare, i kishte kthyer në punë të suspenduarit lidhur me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.

Raportet pa licencë

Drejtoresha e Laboratorit të Toksikologjisë në IML, Flutura Goga, ka lëshuar raporte toksikologjike pa licencë. Tash, Prokuroria, pas kallëzimit penal nga Goga, po merret me rrjedhjen e informacioneve, dokumenteve dhe zbulimin e burimit nga ku kanë dalë informacionet.

Pas publikimit të dokumenteve nga gazeta Nacionale ku vërtetohet se Goga po lëshon raporte toksikologjike pa licencë, në Institutin e Mjekësisë Ligjore ka pasur reagime të mëdha. Nacionale ka mësuar se Goga ka ushtruar një kallëzim penal në Prokurori lidhur me rrjedhjen e dokumenteve.

Se ka hetime për rrjedhjen e informacioneve është konfirmuar edhe nga Prokuroria Themelore e Prishtinës. Megjithatë, këta të fundit nuk kanë pranuar të ofrojnë asnjë detaj dhe përgjigje të detajuar ashtu siç ka kërkuar gazeta.

“Lidhur me pyetjet e juaja, ju njoftojmë se për këtë çështje janë duke u zhvilluar hetime, andaj në këtë fazë nuk mund të japim informata të tjera për shkak të ruajtjes së integritetit të procedurës”, thuhej në përgjigjen e Prokurorisë.

S’ka kushte pune

Me 6 mijë euro gjobë ishte dënuar këtë vit Instituti i Mjekësisë Ligjore si pasojë e kushteve të mjerueshme të punës në hapësirat e IML-së, që janë konstatuar nga Inspektorati i Punës. Nacionale ka siguruar gjetjet dhe vendimet, dhe sjell detaje.

Hapësirat e morgut s’kanë ventilim e janë pa ajrosje. Kufomat barten fizikisht pasi nuk ka pajisje për bartjen e tyre. Veturat për bartjen e kufomave nuk janë të izoluara, e si pasojë kundërmimi është i tmerrshëm. Këto janë vetëm disa nga gjetjet e Inspektoratit të Punës brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Për pasojë, Inspektorati e ka dënuar IML-në me gjashtë mijë euro gjobë. Gjoba e dytë brenda pak muajsh për këtë institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Lajme të ngjashme