S’kalon as një ditë: Dimal Basha intimidon gazetaren e RTK-së, AGK-ja dënon rastin - NACIONALE

S’kalon as një ditë: Dimal Basha intimidon gazetaren e RTK-së, AGK-ja dënon rastin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Nuk kanë kaluar as 24 orë prej publikimit të raportit të Reporterëve pa Kufij ku Kosova ka shënuar regres duke rënë për 19 pozita. Megjithatë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka intimiduar gazetaren e RTK-së, Blerta Foniqi – Kabashi, e cila po e intervistonte.

AGK-ja ka dënuar këtë rast për të cilin më herët raportoi edhe Nacionale.

“Deputeti Dimal Basha e ka krahasuar Transmetuesin Publik, RTK me televizionin shtetëror serb, RTS kur është pyetur nga gazetarja Blerta Foniqi Kabashi për kushtin e Asociacionit për anëtarësim e Kosovës, në Këshillin e Evropës.” – thuhet në njoftimin e AGK-së.

Ndërkohë, deklarata e Bashës ishte si vijon:

“Për besë unë e shoh qysh e shoh secili shqiptar. Në RTS-in e Serbisë ata mujnë me pas shqetësim kryesor Asociacionin . Në RTK-në e Kosovës nuk duhet me kane veç Asociacioni…A ta shpjegova që ka marrëveshje Kosova? Pse po e bën temë a duhet me ba Asociacionin a jo? Na e dimë çka është tema kryesore”.

AGK-ja në fund ka thënë se e përgëzon kolegen Foniqi – Kabashi për profesionalizmin e treguar në interviste, derisa ka përmendur se Basha sulmoi edhe vetë Asociacionin gjatë së njëjtës.

Lajme të ngjashme