"S'ka të bëjë për ta ndihmuar Thaçin, por Kosovën" – Grenell: Kurti dhe Osmani mund të bëjnë "më tepër" - NACIONALE

"S'ka të bëjë për ta ndihmuar Thaçin, por Kosovën" – Grenell: Kurti dhe Osmani mund të bëjnë "më tepër"

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Richard Grenell, i emëruari i Presidentit Trump për Misione Speciale, në një intervistë për Klan Kosova, tha se deputeti Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani 'mund të bëjnë më tepër' në lidhje me zhvillimet në Gjykatën Speciale.

I pyetur nëse qeveria amerikane do ta njihte një vendim potencialisht dënues ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi, Grenell tha se ka besim në pavarësinë e drejtësisë dhe se vendimmarrja duhet të mbështetet në prova, jo në politikë.

“Kam ende besim në sistemin e drejtësisë që individët që po i dëgjojnë provat nuk do të veprojnë politikisht. Shikoni provat dhe unë më të vërtetë do t’i inkurajojë njerëzit të shohin se çfarë po thonë, si aktakuza ndaj Thaçit”.

Ai shtoi se fokusi i tij është rasti në Hagë dhe se nuk dëshiron të hyjë në spekulime, por shprehu shpresën që gjyqtarët “ta hedhin poshtë” aktakuzën.

Sipas tij, një zhvillim i tillë do të duhej të pasohej nga një pajtim i mirëfilltë dhe një debat i hapur mbi arsyet pse po ndodhin, siç i quajti, “ndjekje politike penale”, si dhe mbi mënyrat për ta rregulluar këtë situatë.

“Dua të kem shpresë dhe mendje të shëndosh se gjyqtarët do ta hedhin [aktakuzën] dhe në atë moment dua të kemi një pajtim të mirëfilltë se pse po ndodh kjo, pse po ndodhin këto ndjekje politike penale. Duhet rregullojmë këtë rrëmujë”

Grenell tha gjithashtu se deputeti Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani mund të bëjnë më shumë për ta ndihmuar jo vetëm Thaçin si individ, por Kosovën si shtet.

“Mendoj se qoftë presidentja Osmani, kryeministri Albin Kurti mund të bëjnë diçka dhe kjo nuk ka të bëjë për ta ndihmuar Hashim Thaçin por për ta ndihmuar Kosovën. Kjo ka të bëjë me rikthimin e sovranitetit të Kosovës duke thënë se ne do t’i trajtojmë vet çështjet tona gjyqësore”.

Ai sqaroi se askush nuk po kërkon hedhjen poshtë të aktakuzave, por rikujtoi vizionin që drejtësia të administrohet nga gjyqtarë të Kosovës, për të dëshmuar se vendi ka një sistem gjyqësor funksional që siguron drejtësi të plotë, pa u varur nga gjyqtarë ndërkombëtarë.

“Askush s’po thotë që këto aktakuza të hedhen automatikisht, por kishim një vizion gjithmonë që të mos kemi një gjyqtar ndërkombëtar që gjykon, por të marrin gjyqtarë të Kosovës dhe të tregojnë se kanë një sistem gjyqësor në vend për të vënë drejtësinë në mënyrë të duhur”, tha Grenell.

Lajme të ngjashme