S’ka Kuvend: Dështon edhe seanca e fundit – përfundon afati 30-ditor i Kushtetueses - NACIONALE

S’ka Kuvend: Dështon edhe seanca e fundit – përfundon afati 30-ditor i Kushtetueses

1 vit më parë

nga NACIONALE

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka dështuar sërish, vetëm pak minuta para skadimit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj të datës 26 qershor 2025. Kjo situatë lë Kuvendin pa u konstituar të paktën deri më 8 gusht, pas masës së përkohshme të vendosur nga Gjykata më 24 korrik.

Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti politik që doli i pari në zgjedhjet e fundit parlamentare, nuk hoqi dorë nga kërkesa për krijimin e një Komisioni për votim të fshehtë në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.

Ky veprim, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk është i parashikuar apo i zbatueshëm në kontekstin e seancës konstituive. Rregullorja e Kuvendit nuk lejon devijime nga rendi i parashikuar i ditës dhe priorizon praktikën e deritanishme parlamentare, e cila mbështetet në votimin e hapur.

Gjykata Kushtetuese, siç ishte shpjeguar nga juristët, ka konstatuar se seanca konstituive është një akt unik kushtetues, pa mundësi për mocione procedurale apo ndryshime ad hoc.

Edhe në këtë seancë të fundit, propozimi për formimin e komisionit nuk u përkrah nga deputetët e partive të tjera, duke vazhduar një seri dështimesh që nga prilli 2025, kur u thirr seanca e parë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Në arsyetimin e masës së përkohshme, Gjykata Kushtetuese theksoi se, pa vendosjen e kësaj mase ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të Kuvendit pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim apo veprim i ndërmarrë deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës mund të shkaktonte dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe për funksionimin e institucioneve kyçe të saj.

Lajme të ngjashme