Jo Negociata, Vetëvendosje: Kurti e takoi Vuçiqin gjashtë herë për një vit
Mbrëmja e kaluar duket se nuk do të jetë thjesht një takim i radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit. E megjithatë, do të jetë edhe një takim i radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit. Sa herë është takuar Kurti deri tash, me atë që ishte zotuar se nuk do ta takonte pa e plotësuar një listë të gjatë kushtesh?
Vuçiqi, siç dihet, nuk kishte plotësuar asnjë kusht që të ulej në tavolinë e bisedimeve me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin. Përkundrazi, ishte kryeministri Kurti që besohet se për shkak të kundërshtimeve të Vuçiqit nuk e vendosi masën e Reciprocitetit ndaj Serbisë siç kishte premtuar. Kjo nënkupton se në fakt ai plotësoi kusht që të ulej në tavolinë me Vuçiqin.
Mbrëmja e kaluar, ajo e 2 majit, ishte takimi i tetë mes të dyve.

Vlen të theksohet që kryeministri Kurti madje ishte ankuar që nuk po ndodhnin takime të përmuajshme me Vuçiqin, siç ishte paraparë sipas tij në takimin e 18 gushtit 2022.
Hera e parë
Për herë të parë, Kurti e takoi Vuçiqin në mes të muajit qershor të vitit 2021. Kryeministri i Kosovës - në këtë takim që duket sikur ka ndodhur dhjetë vjet më parë – kishte bërë propozim katër-pikësh.
Mes tjerash, aty Kurti propozonte që kreu i delegacionit serb, Veljko Odaloviq, për të pagjeturit të shkarkohej dhe të merrej në pyetje. Por, propozonte edhe që të miratohej një traktat ku Kosova të mos e sulmonte Serbinë ushtarakisht dhe as Serbia të mos e sulmonte Kosovën ushtarakisht.
Hera e dytë
Takimi i dytë kishte ndodhur vetëm një muaj më vonë, më 19 korrik. Kurti raportohej se e kishte akuzuar Serbinë për gjenocid në vitin 1878 dhe përsëri më 1999.
Hera e tretë
Për kohë të gjatë, më shumë se nëntë muaj, Kurti e Vuçiqi nuk ishin takuar me njëri tjetrin. Takimi i radhës kishte ndodhur më 4 maj të vitit 2022 i njojur gjerësisht si Darka e Berlinit.
Kjo darkë sipas BE-së kishte qenë joformale dhe fillimisht nuk ishte treguar se do të ndodhte. U njoftuam vetëm pasi pamë një nga fotografitë më ikonike të dialogut nën Kurtin.

Hera e katërt
Dhe, kjo darkë doli të ishte mjaft produktive. Palët shpeshtuan takimet në muajt e ardhshëm, derisa për ironi ishin shpeshtuar edhe tensionet në veri të vendit.
Takimi i katërt u mendua të mbahej në muajin korrik, por në fakt u mbajt më 18 gusht 2022. Siç do të njoftonte Kurti, aty ishin marrë vesh për takime të përmuajshme.
Sipas kryeministrit tonë, ishte pikërisht ky takim që i hapi derën një kornize të përgjithshme që çoi pastaj në planin franko-gjerman dhe përfundimisht në Marrëveshjen Bazike.
Hera e pestë
Takimet nuk ishin të përmuajshme, gjë që e bëri të ankohej kryeministrin Kurti. Hera e pestë ishte 21 nëntori 2022, kohë kur po ndodhte përplasja për shkak të targave dhe e cila fatkeqësisht i solli dëme të pariparueshme Kosovës.
Kurti do të lëshonte pe për targa, por vetëm pasi do të merrte një qortim të ashpër e publik nga Josep Borrell dhe do të “mësonte” gjëra që s’i dinte nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier.

Hera e gjashtë
Takimi i gjashtë ndodhi më 27 shkurt, kur edhe u arrit Marrëveshja Bazë në Bruksel.
Hera e shtatë
Hera e shtatë ishte në Ohër. Pas arritjes së marrëveshjes bazë, Kurti e Vuçiqi dialoguan dhe në fund u pajtuan edhe për Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes Bazë.
Hera e tetë
Hera e tetë ishte mbrëmë në Bruksel. Kurti dhe Vuçiqi ranë dakord për Deklaratën e të Pagjeturve që shkaktoi shumë bujë në Kosovë, ndërkohë që u prezantua edhe draft-statuti i famshëm i Ekipit Menaxhues.
Kur do të takohen herën tjetër? Situata nuk duket aq shpresëdhënëse, marrë parasysh edhe deklaratat e bëra mbrëmë nga ana e Josep Borrell.
Ai tha që palët janë pajtuar “që të nisin negociatat për statutin e Asociacionit në të ardhmen e afërt”.