“S’ka bazë ligjore”, Përmbaruesit shpërfillin udhëzimin MD-së për lehtësimin e pagesave ndaj prindërve me llogari të bllokuara
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit vendosi që këtë vit të mos i sigurojë librat për nxënësit e shkollave fillore, mirëpo t’i subvencionoj prindërit të të holla duke aplikuar në platformën online e-Kosova dhe mjetet që pritet të dalin gjatë javës së ardhshme në xhirollogarive të tyre bankare. Këtij vendimi i doli në ndihmë, Ministria e Drejtësisë, kështu duke lëshuar një Udhëzues për Odën e Përmbaruesve Privat ku ndër veprimet kryesore që rekomandohen për përmbaruesit privat është shqyrtimi i mundësisë për zhbllokimin e përkohshëm të llogarive të bllokuara të debitorëve. Por, a u pajtuan Oda e Përmbaruesve Privat me këtë udhëzim.
Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i doli në ndihmë MASHTI-it, duke tentuar që të shuaj zërat se prindërit nuk do të mund t’i marrin paratë sepse llogarit e tyre mund të jetë të bllokuara për shumë arsye.
Udhëzimi i lëshuar nga ministrja e Drejtësisë dhe i drejtuar tek Oda e Përmbaruesve Privat, për zhbllokimin e këtyre llogarive, më sa duke nuk u prit edhe shumë mirë.
Kryetari i kësaj Ode, Arben Gashi ka thënë se Ministria e Drejtësisë, po vepron kundërligjshëm dhe në formë populiste, kështu duke konfirmuar se nuk mund ta pranojnë udhëzimin.
Sipas Gashit, ky udhëzim nuk ka bazë ligjore, dhe nuk parashihet një mundësi e tillë.
“Praktikisht janë mundu me na nxjerrë para aktit të kryer, kjo është e para. E dyta, ky udhëzues nuk ka bazë ligjore, pra fare nuk parashihet mundësia e tillë, pra është i kundërligjshëm. Qëllimi i vetëm i tij është me i marrë disa vota prej njerëzve, kurrgjë tjetër, as nuk ka synim me i ndihmu kurrgjë hiç. Përmbaruesit kanë me vepru sipas ligjit, dhe sipas ligjit janë të përcaktuara procedurat se kur bllokohen dhe kur zhbllokohen llogaritë. I lusim qytetarët të mos bien pre e dokumenteve të tilla politike.” - ka thënë Gashi në një prononcim për RTV Dukagjinin.
Çfarë përmban saktësisht udhëzimi i lëshuar nga MD-ja?
Udhëzuesi i Ministrisë së Drejtësisë udhëzon përmbaruesit privat të Kosovës "të shqyrtojnë mundësitë për lehtësimin e pagesave nga llogarite e bllokuara te debitorëve - prindër te nxënësve përfitues nga platforma e lansuar nga MASHTI për subvencionin e teksteve shkollore përmes zhbllokimit të përkohshëm te llogarive te bllokuara të debitorëve"
Në këtë udhëzues, Ministria e Drejtësisë ka theksuar nuk ka synim të cenojë pavarësinë ligjore dhe profesionale të përmbaruesve privatë, por synon të ndihmojë në rregullimin e situatës aktuale.
"Ky udhëzues ne asnjë rrethanë nuk synon ta cenoje pavarësinë ligjore dhe profesionale te përmbaruesve privat, por ka për qëllim te udhëzojë për veprime te duhura ne situatën aktuale sa i përket pajisjes së nxënësve me tekste dhe materiale te tjera mësimore.” - thuhet më tej.

