Sindikata më e zëshme e RTK-së hesht. Pse? - NACIONALE

Sindikata më e zëshme e RTK-së hesht. Pse?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një Sindikatë e RTK-së foli, tjetra hesht. Pse?

Lidhur me fake news-in e publikuar në televizionin publik, si pasojë e të cilit nisën edhe presionet e pushtetit në RTK dhe jashtë saj, për gazetarët e distancuar ndaj lajmit, deri tani, ka folur vetëm Sindikata e Punëtorëve të RTK-së, e njohur me shkurtesën ‘SPERTK’.

Në një përgjigje për Nacionalen, ata kanë theksuar se 'asnjë formë e raportimit që bie ndesh me rregullat e gazetarisë, nuk gjen mbështetje'

“Si Sindikatë e punëtorëve nuk kemi ndërhyrë asnjëherë në çështje editoriale e programore. Ju bëjmë me dije se çdo formë që bie ndesh me rregullat gazetareske nuk gjene mbështetje nga askush në RTK.

Pjesa ku bëni pyetje rreth reagimeve ne situata te ndryshme, besoj kjo na përket neve si Sindikatë me vlerësua se kur duhet te prononcohemi.

Ne jemi duke përcjell me vëmendje situatën aktuale në RTK dhe sulmet e atakimet që po bëhen ndaj gazetareve. I dënojmë të gjitha sulmet që po bëhen ndaj të gjithë gazetarëve ne Kosovë dhe presionet që po bëhen në lidhje me këtë temë. Forma e kërkimit të distancimit është formë presioni për punonjësit e RTK-së dhe kjo duhet të ndalet nga ata të cilët e kërkojnë këtë gjë”, është thënë veç tjerash në përgjigjen për Nacionalen nga kjo Sindikatë, që të plotë mund ta lexoni këtu.

Por, tjetra Sindikatë, e cila quhet Sindikata e Pavarur e RTK-së, me kryetar Fadil Hoxhën, i cili në vazhdimësi ka qenë tejet i zëshëm nëpër debate televizive e intervista rreth gjendjes së keqe në mediumin publik, tani po hesht rreth rastit të fundit.

Nacionale ka dërguar pyetje edhe në këtë Sindikatë para pak ditësh, por deri në momentin kur po e publikojmë këtë artikull, nuk kemi asnjë përgjigje në asnjë prej pyetjeve tona.

Të vetmet reagime të zotit Hoxha, ditëve të fundit, që pamë në llogarinë e tij në Facebook, janë ato kundër Shkumbin Ahmetxhekaj, i cili para disa ditësh dha dorëheqje nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së.

Përveç lajmeve të transmetuara në media, që z.Hoxha do t’i shpërndante në llogarinë e tij në Facebook, ai do të shkruante edhe si më poshtë për Shkumbin Ahmetxhekajn:

“Erdhi ne krye te RTK-se si nje anonimus po ik si nje anonimus.

Per punetoret e RTK-se do t"mbahet n'mend si keqdashes”

Kujtojmë se pozitën e z.Shkumbin Ahmetxhekaj, që Fadil Hoxha e kundërshtonte ashpër, deri në momentin e publikimit të fake neës-it në RTK, po e ushtronte znj.Zana Spahiu, e cila dha dorëheqje pas skandalit me lajmin e rremë kundër Nacionales dhe Periskopit në mediumin publik.

Lajme të ngjashme