Sindikalisti i RTK-së me dy puna: Artan Cërnaveri e pranon se punon “nganjëherë” edhe në REL
Artan Cërnaveri, kryetar i Sindikatës së Radio Kosovës, është i punësuar në rolin e IT-së në Radio Televizionin e Kosovës, televizionin e vetëm publik kosovar. Mirëpo, ai del se bënë të njëjtën punë edhe në një medium tjetër. Më saktësisht, sindikalisti i RTK-së angazhohet edhe në Radio Evropën e Lirë në të njëjtin sektor sikurse në RTK. Por menaxhmenti i RTK-së nuk e ka zyrtarisht një informacion të tillë. Çka ndodhi?
Cernaveri, IT në RTK, herë pas herë bënë të njëjtën punë edhe në REL, medie e themeluar nga ShBA-ja, që veprimtarinë e tyre e zhvillojnë edhe në Kosovë. Cernaveri këtë gjë e ka pranuar personalisht në një prononcim për Gazetën Nacionale, duke theksuar se punon “nganjëherë kur të më thirrin”.
“Si freelancer kom punuar, punoj nganjëherë kur t’më thirrin. Krejt qekjo është. Vetëm si freelancer kur kanë ndonjë problem teknik me thirrin edhe shkoj.” – ka bërë të ditur ai për Nacionalen.
Nacionale ka dërguar edhe pyetje të tjera në adresë të Cernaverit, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.
Meqenëse z. Cernaveri e pranoi angazhimin e herë pas hershëm në REL, Nacionale i është drejtuar edhe drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës, Shkumbin Ahmetxhekaj.
Ahmetxhekaj në një prononcim ka bërë ditur se punëtorët e RTK-së kanë qenë të obliguar deri më datën 07.09.2023 të plotësojnë formularin për parandalimin e konfliktit të interesit, duke shtuar se është në pritje të raportit final.
“Të gjithë punëtorët e RTK-së kanë qenë të obliguar që deri me datë 07.09.2023 (afati i zgjatur) të plotësojnë formularët për parandalimin e konfliktit të interesit. Rastet individuale pastaj do të adresohen nga zyrtari përgjegjës. Sidoqoftë, jam në pritje të raportit final.” – ka bërë të ditur Ahmetxhekaj.
Ai tutje ka thënë për Nacionalen, se për rastin e zotëri Cernaverit nuk ka ndonjë informacion zyrtarë.
Madje Ahmetxhekaj ka shtuar se me kontratë të punës parandalohet angazhimin jashtë institucionit gjatë orarit të punës.
“Për rastin të cilit po i referoheni, nuk kam informacione zyrtare, por rregulloret e brendshme dhe kontrata e punës e ndalon angazhimin jashtë institucionit gjatë orarit të rregullt të punës. Shkelja e rregulloreve është e sanksionuar me masa përkatëse.” – ka thënë Ahmetxhekaj.
Gazeta Nacionale i është drejtuar edhe Radio Evropës së Lirë në adresën zyrtare, si edhe Amra Zejneli – Loxha, në cilësinë e shefes së Radio Evropës së Lirë për Kosovën, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pasur asnjë përgjigje në lidhje me këtë temë.
Ndryshe, në një dokument të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transferve, që e ka siguruar Nacionale, Cërnaveri ishte obliguar të dorëhiqet nga njëri funksion gjatë kohës kur RTK-ja aplikoi për regjistrimin e Marrëveshjes Kolektive. Cërnaveri kishte hequr dorë nga pozita menaxheriale në RTK, më saktësisht nga ushtrimi i detyrës së udhëheqësit të Produksionit në Radio Kosovë, që është po ashtu medium publik.

