Simpatia ‘fantastike’ e Përparim Ramës për Albin Kurtin - NACIONALE

Simpatia ‘fantastike’ e Përparim Ramës për Albin Kurtin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ishte i ftuari i Arben Ahmetit së fundi dhe çuditi me disa deklarata të tij.

Rama që fitoi zgjedhjet komunale në Prishtinë si kandidat i LDK-së u pyet në mënyrë direkte se “a ishte në LDK?”. Fundja, ai kishte garuar si kandidat i kësaj partie për të parin e Prishtinës.

Përgjigja e tij ishte – pak a shumë – se ai i takon gjithë kombit.

“Unë e kam thanë prej fillimit, dmth unë kam jetu në Londër 30 vite, dhe jam përtej partive politike.” – u shpreh Rama në nisje të përgjigjes së tij.

Kjo nënkupton që njerëzit të cilët jetojnë në Londër për 30 vjet nuk mund të jenë pjesë e partive politike të Kosovës.

Rama më pas tha se po e shihte mundësinë “perfekte” që të bashkonte të gjitha forcat politike për të mirën e kryeqytetit. Si duket harroi që rreth tij, të bashkuar, janë vetëm forcat politike në koalicion. Siç janë pas çdo kryetari tjetër. Ndërkohë që opozita në kryeqytet, VV-ja me AAK-në e Nisman e sulmojnë përditë.

Qe diçka edhe më direkte që veçse i është bërë virale:

“... normal që kam garu me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe jam falenderues edhe normal që jam partner i ngushtë me Lidhjen Demokratike të Kosovës po nuk jam anëtar i partisë,” – tha më pas Rama.

Mirë që nuk u pyet se cilën parti e voton sepse ndoshta do të thoshte se e bën votën të pavlefshme. Fundja, të votosh është obligim qytetar e Përparim Rama do të votonte. Por, meqë dëshiron të jetë mbi partitë e vetmja logjikë është se do t’i votonte të gjitha.

Kryetari i Prishtinës e zbuloi edhe një tjetër gjë interesante. Një diskutim me kryetarin e Prishtinës, Lumir Abdixhikun për ndarjen e punëve: ti me parti, unë me kryeqytet.

“Ky ka qenë edhe ai diskutimi mes meje edhe Lumirit qysh nga fillimi: ti merru me parti, unë po merrem me kryeqytetin edhe kështu e kemi pasë nga fillimi. Edhe po them, po i kryjmë punët si është më mirë për kryeqytetin pa pasë nevojë për ndonjë intervenim partiak apo ashtu ndasi mes të koalicionit për shkaqe partiake.”

Votuesi inteligjent

Më pas, Rama i pati edhe disa fjalë për votuesin e Prishtinës të cilin e cilësoi si “inteligjent”.

“Prishtina e ka tregu këtë. E ka tregu edhe para 10 vitesh (kur fitoi Shpend Ahmeti i VV-së ndaj Isa Mustafës së LDK-së) edhe para dy vitesh. Votuesi i kryeqytetit është votues inteligjent, që e di kënd e voton...”

“Votuesi gjithkund është inteligjent realisht, jo vetëm në kryeqytet,” – u shpreh ai.

Para 10 vitesh kishte fituar Shpend Ahmeti i VV-së duke e mposhtur Isa Mustafën e LDK-së. Pra, votuesi ishte inteligjent sepse e hoqi LDK-në e asaj kohe nga pushteti. Nejse, simpatia e asokohshme e Përparim Ramës për VV-në ishte publike dhe shprehej përmes statusesh të ndryshme. Por, si duket kjo simpati po vazhdon.

Ajo ilustrohet edhe në fjalët e tij për kryeministrin Albin Kurti.

Ai tha se i kishte kërkuar takim. Nënkuptoi se s’i mbante inat për çështjen e buxhetit si kryetarët e tjerë të komunave dhe... i nxitur nga gazetari e zbuloi edhe mesazhin e fundit drejtuar tij. I kishte uruar vitin e ri.

Është goxha mesazh i gjatë urimi. Fatkeqësisht, nuk mund të lexohet meqë pamja nuk mund të merret por mesazhi i ka plot pesë rreshta.

Është një pyetje këtu: A është Përparim Rama përnjëmend mbi partitë dhe partner i LDK-së apo është thjesht një simpatizues i Kurtit? Ndoshta, përgjigjen s’e di as Lumiri e as vetë Përparim Rama.

Lajme të ngjashme