"Si me ia pasë inati": Krasitja e djeshme e pemëve konsiderohet "krim ambiental" - NACIONALE

"Si me ia pasë inati": Krasitja e djeshme e pemëve konsiderohet "krim ambiental"

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Pamjet e drunjve të prerë në sheshin “Nënë Tereza” ngritën në kupë të qiellit shqetësimin te qytetarët e Prishtinës.

Gërvimat e sharrave të drunjve e zgjuan për pak kohë nga gjumi i thellë ku është rrasur Prishtina për çështje ambientale.

Po priteshin pa kursim e pa dhimbje degët e shumë drunjve që zbukurojnë qytetin dhe i rezistojnë ngjyrës së shpërndarë pa kursim, të hirtës.

Aktivisti Rron Gjinovci e cilësoi këtë veprim si “skandal”, dhe e përshkroi aksionin me veprimet “drunjtë me kurrora të bukura janë tu i pre sikur me pasë konë pemë të oborreve nëpër katune”.

Për ta kuptuar më mirë këtë event – që të paktën si pamje e si zhurmë dukej i shëmtuar – pyetëm një agronom dhe biseduam me një kopshtar të pasionuar të Prishtinës.

Agronomi G. C. e cilësoi prerjen si “shumë të ashpër”.

“S’di çka kanë mendu e kush e ka vendosë këtë, ama kjo e dëmton formën. Bile e prishë formën. Do të rritet druri, pasi trungu ka fuqi, ama do të humbë forma, për të cilën edhe është ble, e po ashtu do të humbë edhe masa e gjelbër”, tha z. C.

Në anën tjetër, askush nuk e do natyrën – të paktën askush që e njoh – më shumë se Latif Beqiri. Ai është një kopshtar i pasionuar pas së gjelbrës edhe pse jeton në kryeqytetin e betontë e me plot bërllok të Prishtinës.

Latifi u duk më i shqetësuar se zakonisht kur u pyet për drunjtë e prerë në shesh.

Më poshtë keni një pjesë të bisedës sonë në formë të shkruar për ndodhinë e djeshme.

Kallëzom, qysh po ndihesh si kopshtar për këtë rast?

“(Jam) i shokumë! Thashë, e pabesueshme që komuna e Prishtinës ka asi kuadro tepër të dobëta. I prejshin si me ia pasë inati.”

Si kopshtar me përvojë, a beson Latifi që ka pasur mundësi që krasitja të ndodhte më kujdesshëm e më mirë?

“Nëse do të ishte një mbikëqyrës aty, sigurisht që po. Është një rregull në prerjen e tyre: duhet të prehet 1/3-ta e drurit, më pak se kaq nuk ka shumë rezultat, por më shumë se kaq ndikon në rritje ose edhe më keq. Krasitja supozohet ta stimulojë rritjen, por kur bima humb shumë degë – veçanërisht në pjesën e sipërme – mund t’i ekspozohet rrezeve të diellit, t’i humbasë lëndët ushqyese që merr nga gjethet dhe ta detyrojë atë në tronditje duke u përpjekur që ta kompenzojë humbjen që i është shkaktuar.”

Kush e ka pësu më së shumti, sipas jush, përveç degëve, normal?

“Definitivisht krejt qytetarët, sidomos të moshuarit, të cilët uleshin ndër drunj në vapë të madhe sepse ka hije nga druri, por tash hija shkoi dhe Përparim Rama duhet me jua majtë çadrën secilit. Edhe pamja duket tepër tepër e keqe.“

Mos është kjo edhe shenjë e keqe se qeveria e re e Përparim Ramës s’do të jetë fort e angazhuar për ta bërë Prishtinën më të gjelbër?

“Nuk e di, por ndoshta po. Nuk jam fort kah politika, por Shpend Ahmeti nuk ishte i keq sa i perket gjelbërimit.“

Ti personalisht, a ke ndonjë ide se çka të bëjmë me sheshin, që të paktën atë pjesë ta bëjmë më të gjelbër?

“Prishtina ka nevojë për edhe më shumë drunj dhe bimë të tjera. E dimë që ne radhitemi në top-3 për ndotje të ajrit. Pra, mbjellja e drunjve ul ndotjen e ajrit, freskon ambientin, dhe në verë i ul temperaturat. Ama send s’ke bo nëse i krasit ashtu siç i kanë krasitë Hortikultura.“

Dhe një pyetje pak më të përgjithshme: pse beson që Prishtina është kaq e pandjeshme ndaj ambientit?

“Sepse nuk sjell pare. Më shumë pare sjell me maru banesa gjithkund.“

Lajme të ngjashme