Si ‘konspiruan’ Lajçaku dhe Vuçiqi kundër Kosovës, sipas Kurtit?
Konspirimi rëndom në fjalor përcaktohet si “bërja e planeve të fshehta për të kryer bashkërisht një akt të paligjshëm ose të dëmshëm”; e saktësisht një konspirim i tillë Kryreministri i Kosovës, Albin Kurti, pretendoi të ketë ndodhur në takimin e 14 shtatorit në Bruksel ndërmjet Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Përveç se dha një tablo 'konspirimi' në "sintoni", Kurti tha se edhe në refuzimin ndaj propozimit të tij, Vuçiqi dhe Lajçaku "edhe shpërfilljen e patën të koordinuar".
Tha se kanë pasur “sintoni” dhe “koordinim” të fshehur për të synuar zbatimin “e vetëm gjysmës të Marrëveshjes Bazike”, përkatësisht vetëm të themelimit të Asociacionit të Komunve të banuara me shumicë serbe, por jo edhe “gjysmës tjetër” që përbën, siç tha ai, “aspektet civilizuese, evropiane, të marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore”, përkatësisht të asaj që jepet të përbëjë njohjen “de facto” Kosovë-Serbi, ku shtetet rregullojnë marrëdhëniet sipas Kartës së OKB-së.
E këtë, tha ai, ta ketë pasur kryekërkesë - pasi që Marrëveshje Bazike ka dështuar në aspektin nënshkrues të saj, Kurti tha se ka kërkuar që së paku ajo "të deponohet" në Kombe të Bashkuara me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së.
“Skenari”, tha Kurti, që provuan të jetësojnë të enjten e kaluar Vuçiqi dhe Lajçaku, ishte rehatimi i kërkesave eksluzivisht dhe vetëm të Bepgradit, ku për Lajçakun tha se i kishte mëveshur krejtësisht qëndrimet serbe.
Sa për qëndrimet e tij e tij që kishte paraqitur përmes hartimi të një dokumenti për zbatim të sekuencuar “dhe gjithpërfshirës” të Marrëveshjes Bazike, Kurti tha se përveç se ishin të koordinuar në “refuzimin” e saj, ata ishin “të koordinuar edhe në shpërfillje”.
Njohja “de facto”, kërkesa parësore e palës kosovare, sipas Kurtit, u provua të lihej në moszbatim të asnjëhershëm.
“Si i tillë Lajçaku e Vuçiqi duket sikur të jenë koordinuar me një qëllim të vetëm, të bëjnë të pamundur një skenar ku marrëveshja zbatohet në plotni. Dhe t'i japin jetë një skenari alternativ ku vetëm gjysma e marrëveshjes; e gjysma tjetër që përbëjnë pjesën më të civilizuar fqinjësore dhe evropiane, të mos zbatohet asnjëherë”.
Kurti, në tonet më të mprehta të kohëve të fundit, tha se synimi i zbatimit të vetëm gjysmës së marrëveshjes, ashtu siç e dëshiron Serbia, është e barazvlefshme me “mbytjen e marrëveshjes”.
“Kanë shkuar shumë larg në goditjen e Kosovës”.
“Nuk mund të shtrembërohet gjykimi im duke hedhur hi syve. Ose e zbatojmë gjithë marrëveshjen, ose nuk mund të zbatojmë vetëm ato që do Serbia. Kjo logjikë ka vdekur”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ra toneve konstatuese se “ka asimetri drastike” në qasjen ndaj palës kosovare dhe favorizuese ndaj kërkesave të Beogradit, por ama “nga ana e ndërmjetësve” si emra të përvetshëm.
"Unë nuk do të thosha që ka pasur koodinim të BE-së me Serbinë, do të thosha emisari ka pasur koordinim me presidentin e Serbisë. Nuk shpjegohet ndryshe fakti që fshihet mungesa e propozimeve të Serbisë, dhe në anën tjetër shpërfillen propozimet tona. Gjatë gjithë vitit bëj propozime kreative. Serbia s’ka dhënë asnjëherë propozime".
“Presidenti i Serbisë dhe Miroslav Lajçak reaguan me të njëjtin mendim dhe me të njëjtën shpërfillje të koordinuar. Të dy thanë që ky plan është shumë jorealist”, tha Kurti.
Denoncimet ndaj Lajçaku, Kurti i pati lajtmovit në mbarë konferencën për media, ku tha se ai ka fshehur gjëra edhe nga vetë shefi i tij, Josep Borrell, “e lëre me nga BE-ja”.
“Nuk e di sa e ka ditur, jo Bashkimi Evropian dhe qeveritë më të fuqishme të BE-së, por sa e ka ditur vetë Borrell që Serbia nuk bën propozime. Në një moment kur unë i them Vuciq-it cili është propozimi juaj, edhe Borrell i thotë cili është propozimi? Pastaj Lajçak tha ‘jo jo e ka dhënë më herët’. Pastaj na sollën një dokument që është më i vjetër që gjashtë muaj”.