Si do të ndikojë në imazhin e Kosovës mbajtja e zgjedhjeve në kontejnerë?
Në mëngjesin e 23 prillit, qytetarët e katër komunave veriore do të zgjedhin katër kryetarë të rinj dhe dy përbërje të reja të asambleve komunale. Por, institucionet e Kosovës nuk kanë arritur të sigurojnë hapjen e të gjitha qendrave të votimit për zgjedhjet në veri të vendit. Pas rekomandimit të institucioneve të sigurisë, KQZ ka vendosur të hapë vetëm 19 prej 44 qendrave të votimit, dhe vetëm 6 prej tyre do të jenë të rregullta, ndërsa 13 prej tyre do të jenë qendra alternative ose kontejnerë. Si do të ndikojë kjo?
Në datën 5 nëntor të vitit 2022, kryetarët e komunave Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, të cilët ishin nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës, që kërkonte zëvendësimin e targave të makinave të tyre me targat “RKS”.
Kjo situatë krijoi një boshllëk institucional dhe u caktua një datë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në 18 dhjetor të atij viti. Megjithatë, kjo datë u anulua për shkak të rritjes së tensioneve në veri.
Pas kësaj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, caktoi datën 23 prill të këtij viti si datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri.
“Zgjedhjet nuk do të jenë të lira”
Mbajtja e zgjedhjeve në këtë formë po konsiderohet si dështim i Qeverisë dhe Presidencës për të ofruar siguri për ato qendra, ndërsa njohësit e procesit zgjedhor kanë shprehur shqetësimin e tyre për mungesën e kushteve të nevojshme për një proces zgjedhor të suksesshëm.
Eugen Cakolli nga KDI ka vlerësuar se këto zgjedhje nuk do të jenë as të drejta e as të lira, pasi procesi nuk plotëson parakushtet e nevojshme për të qenë proces i rregullt dhe i mirëfilltë zgjedhor, siç jemi mësuar të kemi në Kosovë në dekadën e fundit. Në kuptimin formal, zgjedhjet do të jenë të rregullta dhe do të plotësohen kriteret minimale ligjore, por në kuptimin përmbajtjesor dhe cilësor, ata nuk do të jenë as afërisht të drejta dhe të lira, siç duhet të ishin.
“Ky proces nuk i plotëson mbase asnjë prej parakushteve për të qenë proces i rregullt dhe i mirëfilltë zgjedhor siç jemi mësuar të kemi në Kosovë tash e një dekadë. Mirëpo, ka qenë e ditur se ky proces do të organizohet në rrethana të tilla për shkak të dorëheqjeve. Në kuptimin formal, zgjedhjet do të jenë të rregullta, do të plotësohen kriteret minimale ligjore, por në kuptimin përmbajtjesor dhe cilësor vlerësoj se zgjedhjet nuk do të jenë as afërisht të drejta dhe të lira siç do të duhej të ishin,” - ka thënë ai.
ShBA 'pro' zgjedhjeve
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pozicionit pro qëndrimin të institucioneve të Kosovës për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, pavarësisht bojkotit të Listës Serbe.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka thënë se vendi i tij nuk ka ndryshuar qëndrim për mbajtjen e zgjedhjeve.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Hovenier iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin në zgjedhje. “Të gjitha përpjekjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve përmes kërcënimeve apo përdorimit të dhunës, do të përballen me dënimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar”, ka deklaruar Hovenier.
Ai ka bërë me dije se Shtetet e Bashkuara se bashku partnerët e tyre do ta vëzhgojnë nga afër procesin zgjedhor.
Edhe më qartë në këtë drejtim ka qenë Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai ka thënë se pavarësisht pjesëmarrës rezultati i këtyre zgjedhjeve do të njihet.
“Në këto zgjedhje ne u kemi bërë thirrje dhe unë personalisht u kam kërkuar serbëve, Listës Serbe, që të marrin pjesë dhe të mos heqin dorë nga roli që kanë. Fakti që nuk marrin pjesë, është vendimi i tyre. Por këto parashikohen nga Kushtetuta. Ka vende të paplotësuara. Ka njerëz që nuk po marrin shërbime nga pushteti lokal sepse nuk ka pjesëmarrje. Pra nëse këto zgjedhje janë të lira dhe të ndershme, dhe unë parashikoj që të jenë, rezultati do të jetë legjitim nga këndvështrimi ynë”, ka thënë Escobar.
Sveçla bën thirrje për pjesëmarrje
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka bërë thirrje për qytetarët të dalin në numër sa më të madh në zgjedhje dhe të mos lejojnë kërcënimet dhe presionin e Serbisë ndaj komunitetit serb.
Sveçla ka shprehur shqetësimin e tij për kërcënimet e vazhdueshme ndaj serbëve që jetojnë në pjesën tjetër të vendit dhe ka akuzuar strukturat ilegale e kriminale të drejtuara nga Beogradi për këto sulme.
Ai ka shtuar se qëllimet e Serbisë për destabilizimin e vendit kanë rënduar mbi qytetarët e komunitetit serb, të cilët janë përdorur si mjet për arritjen e qëllimeve të tyre dhe janë kërcënuar, sulmuar dhe diskriminuar në mënyra të ndryshme.

