Shumica e qytetarëve pro tërheqjes së kursimeve në Trust, VV e kundërshton
Ka javë që Kosova po përballet me krizën ekonomike të nxitur nga pandemia COVID-19 e lufta në Ukrainë. Ajo u vërejt më së shumti në rritjen e çmimeve të produkteve bazë dhe ngritjen e pagesës për energji elektrike.
E fajtor për ngritjen e çmimeve, opozita e mban Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, i cili tha se ndikimet globale në krizën ekonomike nuk mund të parandalohen nga ekzekutivi kosovar.
Përtej debatit për fajësi ndërmjet pozitës dhe opozitës, qytetarët tashmë kanë reaguar për punën e ngritjes së kostove të jetës.
Përveç protestave kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, qytetarët po e shohin tërheqjen e serishme të kursimeve nga Trusti pensional si një nga mundësitë për të përballuar krizën ekonomike.
Në një hulumtim të opinionit të publikuar nga Pyper, del se 79% e qytetarëve përkrahin tërheqjen e 30% të kursimeve nga fondi pensional i Kosovës.
Por, për tu realizuar një gjë e tillë duhet “amini” i Kuvendit të Kosovës.
E kundër kësaj ideje, ka dal Lëvizja Vetëvendosje, që është shumicë parlamentare.
Deputet të kësaj partie janë shprehur publikisht kundër nismës për tërheqjen e serishme të kursimeve, ide që u soll përsëri në debat nga PDK.
Së fundmi këtë e ka kundërshtuar deputeti Armend Muja, duke thënë se tërheqja është e pa nevojshme, pasi sipas tij rritja ekonomike në Kosovë është 10 përqind.
“Vërtet nëse ne bëjmë këso shprehi, çdo herë, çdo vit që të tërhiqen mjetet e trustit, megjithatë nuk po themi se qytetarët nuk kanë nevojë, unë pajtohem, mirëpo me i rritë pritjet. Në kohën kur është tërhequr 10 përqindëshi, kemi pasur një tkurrje ekonomike prej 4 ose 5 për qind, kështu që nuk është situatë e njëjtë, sepse kemi një rritje ekonomike 10 përqind, është rrit edhe konsumi po ashtu 14 përqind krahasuar me vitin 2019” ka thënë deputeti Muja.
Kundër kohë më parë është deklaruar edhe Mimoza Kusari-Lila, shefja e grupit parlamentar të VV-së.
Por, shumë nga deputetët aktual të partisë më të madhe në Kosovë, kanë tërhequr kursimet pensionale në vitin 2020.
Adnan Rrustemi, Enver Dugolli, Arjeta Rexhepi, Visar Korenica janë disa nga deputetët e VV-së që kanë shfrytëzuar këtë mundësi.
Edhe ministrat Liburn Aliu e Albulena Haxhiu janë në mesin e atyre që kanë tërhequr kursimet pensionale.
Në anën tjetër, partitë opozitare, së paku PDK e AAK, po tregohen të zëshëm, që një iniciativë e tillë të jetësohet.
Bekim Haxhiu, që ishte edhe nismëtari i këtij projektligji, ka reaguar pas publikimit të hulumtimit të lartë cekur.
“E kam thënë se kërkesa për tërheqjen e 30% të Trustit është kërkesë e qytetarëve, prandaj unë vetëm e kam proceduar këtē kërkesë, sepse si deputet e kemi detyrim të jemi zëri i tyre” ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Edhe kryetari i grupit parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri ka reaguar përsëri në lidhje me këtë çështje, duke thënë se nuk bënë të sillemi zakonshëm në situata të jashtëzakonshme.
“Logjika e Trustit është kursim personal nga të hyrat e qytetarëve, prandaj ne e vlerësojmë se është e drejtë qytetare përvetësimi i këtyre mjeteve në kohë krize. U bëjë thirrje deputetëve që ta mbështesin Ligjin që u mundëson qytetarëve tërheqjen e 30 % të shumës së trustit. Nuk duhet që në gjendje të jashtëzakonshme të sillemi zakonshëm!” ka shkruar Tahiri
Ndërsa LDK, që është paria e dytë më e madhe opozitare nuk ka ka shprehur ende qëndrim për këtë punë, ndonëse ishte Qeveria e udhëhequr nga Abdullah Hoti që lejoi marrjen e kursimeve nga Trusti.
Por ky i fundit, nuk ktheu përgjigje në lidhje me ketë temë kur u kontaktua nga Gazeta Nacionale. Njëjtë vepruan edhe deputetët e tjerë të LDK-së.
Megjithatë, Hoti në një intervistë për media theksoi se tërheqja e kursimeve edhe një herë nuk është e duhur.
“Ne tash duhet të gëzohemi që po e përmbyllim pandeminë dhe ato pakot e mbështetjes ekonomike të promovuara në Qeverinë tonë kanë dhënë rezultate sepse kanë kthyer menjëherë në janar ekonominë në trend pozitiv dhe nuk jemi në situatë që të ndërmarrim veprime të tilla. Nuk besoj që është nevojshme të vijë në kuvend sepse bizneset janë duke funksionuar, punësimi është normalizuar dhe nuk ka arsye të marrim hapa radikal” kishte thënë Hoti.
Ndërkohë nga Trusti Pensional i Kosovës thonë se janë të gatshëm të zbatojnë çfarëdo vendimi që sjellë Kuvendi.
Kryetari i Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale Ruzhdi Morina, gjatë raportimit të tij në Komisionin për Buxhet Punë dhe Transfere ka thënë se tërheqja e mjeteve nga Fondi Pensional do të duhej të ishte hapi i fundit i Qeverisë në përballje me krizën ekonomike.
“Para se të trajtohen temat të tilla është mirë që të shfrytëzohen të gjitha mekanizmat për të iu dalë në ndihmë qytetarëve, ne mendojmë që ky do të duhet të jetë hapi i fundit për tërheqjen e trustit, megjithatë ne jemi të gatshëm të zbatojmë çfarëdo vendimi që vije nga institucionet” ka thënë Morina.
Rreth kësaj çështje, tashmë është krijuar edhe një grup në Facebook.
“Pro tërheqjes 30% të Trustit” është emri i grupit që mbledh përkrahësit e marrjes së kursimeve pensionale, të cilin grup e ka shpërndarë edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.
Deri më tani, janë 9 mijë qytetarë që i janë bashkuar kësaj iniciative në Facebook.