“Shumë mirë po shkon puna” – Çka pas tensioneve të fundit në veri?
Dita e premte ishte e mbushur me zhvillime në pjesën veriore. Kryetarët shqiptarë të komunave në veri, u vendosën nëpër zyrat e tyre. Por kjo vetëm pas intervenimit të Policisë së Kosovës për t’i shpërndarë serbët në atë zonë, që kishin bllokuar objektet komunale.
U shkrepën edhe armë, kurse Policia pëdori gaz lotsjellës e boma të shokut për t’i shpërndarë protestuesit. Kryetarët u vendosën nëpër zyrat e tyre, flamuri i Kosovës gjithashtu. Por, çka tash?
Kryeministri Kurti i pyetur dje nga RTV Dukagjini tha se “shumë mirë po shkon puna”. Kjo pavarësisht shumë reagimeve ndërkombëtare, dhe dënimit të ashpër që i bëri Amerika këtij aksioni.
Kurti ka thënë se synimi i tyre ka qenë që tu mundësojnë kryetarëve të komunave veriore që të kenë qasje dhe të punojnë në zyrat e tyre.
“Sa i përket ditës së djeshme ajo çfarë është e rëndësishme të theksohet është se krejt cfarë kemi synuar ne si Qeveri dhe institucione të Republikës, është tu mundësojmë që kryetarët e komunave të zgjedhur në zgjedhjet demokratike të kenë qasje dhe të punojnë në zyrat e tyre, ku duhet tu shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim etnie, feje e prejardhje. Besojë që për këtë do ta kemi mbështetjen e të gjithë faktorëve ndërkombëtar.” – ka thënë Kurti për RTV Dukagjini.
“E kemi dhe shumë mirë po shkon puna.” – ka thënë ai në fund.
Por, vetëm pak orë para kësaj deklarate të Kurtit, emisari gjerman Sarrazini, tha se nuk duhet të dëmtohen marrëveshjet e nënshkruara deri më tash “për shkak të ndonjë budallallëku”.
“Dje kam vendosur spontanisht të vijë në Kosovë. Padyshim që dje ishte një ditë e keqe për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Marrëveshja e arritur në Ohër me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, përfaqëusesit të jashtëm Borrell dhe emisarit Lajcak është mundësi e mirë për gjithë rajonin e sidomos Kosovën dhe Serbinë, për paqe dhe qetësi. Mesazhi im për sot është që ne nuk do të lejojmë që marrëveshja e Ohrit që i ofron mundësitë, të hidhet poshtë për shkak të një budallallëku. E kuptoj se për shumë njerëz në Republikën e Kosovës, deklaratat për marrëveshjen e Ohrit të ardhura nga Beogradi janë të papranueshme dhe vështirë të kuptueshme. Por, çdo politikan në këtë vend dhe rajon ka përgjegjësi për veprimet e veta… nuk mund të merren vendime të pamatura” – tha ai.
Kryetarët në pjesën veriore, disa prej tyre, kanë dalë në zyrë edhe të shtunën. Atje dje qëndroi për vizitë edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Policia e Kosovës tashmë ka marrë nën kontroll objektet komunale në një perimetër më të gjerë. Kjo duke pamundësuar ndonjë grumbullim eventual të ri nga serbët dhe strukturat ilegale atje.
Policia e Kosovës gjithashtu ka bërë largimin e kamerave ilegale të strukturave paralele, dhe ka vendosur ato të institucioneve të Kosovës.
Reagimet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Evropian, ende nuk dihet se di do të ndryshojnë planet e qeverisë në këtë situatë. Mirëpo, pritet që sërish nga nesër, kryetarët e zgjedhur të komunave ta vazhdojnë punën nga zyrat e tyre.
Kujtojmë, se Departamenti Amerikan i Shtetit në një deklaratë, kishte vlerësuar se veprimet e qeverisë do të dëmtojnë raportet Kosovë-Amerikë.
