Shtyrja e regjistrimit të popullsisë: Cilat do të jenë pasojat për Kosovën? - NACIONALE

Shtyrja e regjistrimit të popullsisë: Cilat do të jenë pasojat për Kosovën?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Opozita është shprehur e shqetësuar me dështimin e regjistrimit të popullsisë për këtë vit.

Përfaqësuesit e partive opozitare kanë bërë me dije se shtyrje e këtij procesi do të kushtojë Kosovës në disa aspekte.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se pasoja në radhë të parë do të jenë ekonomike.

Në deklarimet jashtë rendit të ditës, në seancën e sotme të Kuvendit, ai ka përmendur disa fusha në të cilat do të ketë ndikime shtyrja e këtij procesi.

Të gjitha të dhënat tregojnë se vonimi në regjistrimin e popullsisë do të ketë pasoja të gjëra ekonomike dhe sociale për vendin. E para që ndoshta është kryesorja dhe më e madhja është shpërndarja në mënyrë efektive të të gjitha burimeve e në veçanti e buxhetit. Për shkolla, spital, infrastrukturë, shërbime publike në veçanti për komuna, sepse grantet që ne i shpërndajmë për komuna nga granti i përgjithshëm për arsim, e për shëndetësi, marrin për bazë edhe numrin e popullsisë dhe mungesa e regjistrimit të popullsisë do të nënkuptojë që edhe për dy vite të tjera nuk do të ketë të dhëna të sakta për ta shpërndarë buxhetin në mënyrë të duhur”, ka thënë Hoti.

Në mungesë të dhënave nga ky proces, sipas tij, Kosova nuk do të mund të krahasohet me shtetet tjera.

Do të pamundësohet krahasimi ndërkombëtarë për Kosovën. Si mund të krahasohet nesër Kosova për të ardhurat për kokë banori dhe për të dhëna të tjera. Tani ne mund të bëjmë kurban njerëz siç po bënë Qeveria”, është shprehur Hoti.

Ndërsa, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kërkuar përgjegjësi nga Qeveria për këtë shtyrje të procesit.

Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se ky ka qenë veprim i qëllimshëm nga kryeministri Albin Kurti.

Qysh herët kam paralajmëruar se regjistrimi i popullsisë nuk do të bëhet këtë vit – dhe kjo po ndodh qëllimisht nga vet Kryeministri Kurti. Shtyrja e regjistrimit, për herë të tretë, tashmë për në prill të vitit të ardhshëm, dëshmon se paaftësia, shkelja e ligjit, ndërhyrjet politike dhe fshehja e shifrave reale – e karakterizojnë këtë Qeveri dhe këtë proces që nga fillimi!”, ka shkruar Krasniqi.

Kurti ia lë fajin ASK-së

Qeveria e Kosovës dje ka vendosur që procesi i regjistrimit të popullsisë të shtyhet për prillin e vitit të ardhshëm.

Para kabinetit qeveritar, kryeministri Albin Kurti për këtë gjë ka fajësuar Agjencinë e Statistikave të Kosovës për dështimin e procesit, duke thënë se ka ndryshuar menaxhmentin e këtij institucioni.

ASK është entitet për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave. Ligjin e kemi planifikuar dhe hartuar me përfshirje maksimale të Agjencisë, kemi ëkrkuar sigurimin e prokurorimit të tabletëve, laptopëve, e rekrutimin e mbikqyrësve…Gjatë javës së kaluar kam përdorur autorizimin për të ndryshuar menaxhmentin e ASK-së, si një hap para për të ngritur efikasitetin e procesit. Letra që e kam pranuar nga u.d i ri i Drejtorit, z.Avni Kastrati, dëshmon që procesi i regjistrimit nuk është menaxhuar mirë, por është shtuar premtimi që gabimet nga e kaluara nuk do të përsëriten.”, ka thënë Kurti.

Më pas, Kurti edhe propozoi datën e re për regjistrimin e popullsisë.

Nisur nga kjo, e në veçanti për shkak të udhëheqjes së re në ASK-së, propozoj që regjistrimi i popullsisë të shtyhet në periudhën prej pesë prill, deri më 17 maj të vitit 2024 për të zbatuar parimet e EUROSTAT dhe për t’i dhënë rast menaxhmentit të ri të tregojë efikasitet në kryerjen e përgjegjësive”, ka deklaruar Kurti.

Kjo është hera e dytë që Qeveria e Kosovës e ka shtyrë procesin e regjistrimit të popullsisë.

Lajme të ngjashme