“Shtyllë e jona; PDK-ja na ka zili që e kemi”: Si e çuan në qiell deputetët e VV-së Dejona Mihalin? - NACIONALE

“Shtyllë e jona; PDK-ja na ka zili që e kemi”: Si e çuan në qiell deputetët e VV-së Dejona Mihalin?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ndonëse ende nuk ka biografi zyrtare në uebfaqen e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, koordinatore e Komiteteve në VV, është tashmë një nga figurat më të njohur e të komentuara të partisë që e udhëheq kryeministri Albin Kurti. Mihali shpesh është kritikuar e akuzuar për kontrollim të deputetëve të VV-së.

Mëgjithatë, këta të fundit, pra deputetët e VV-së, nuk kanë ngurruar të shprehin lëvdata në adresë të koordinatores Mihali. Hiç më larg se dje, Enver Haliti, deputet i VV-së nga Ferizaji, e quajti privilegj nëse Mihali do t’ia shkruante fjalimet.

Sipas Haliti, Mihali nuk ka kohë të bëjë një gjë të tillë.

“Dejona Mihalin do ta kishte zili ta kishte secila parti. Unë do të isha i privilegjuar nëse ajo do të mi shkruante fjalimet. Por nuk ka kohë”, tha dje ai në Kuvend, raporton Nacionale.

Pak më gojëlëshuar në lëvdata ishte deputeti tjetër i VV-së, Halil Thaçi. Në një deklaratë për Insajderin, Thaçi e vlerësoi lartë figurën e Mihalit, duke e quajtur “grua punëtore”, “njëra ndër aktivistet më të shkëlqyera” e të tjera cilësime superlative.

“Unë kam komunikim të vazhdueshëm me Dejona Mihalin, sepse është njëra ndër aktivistet më të shkëlqyera në Lëvizjen Vetëvendosje, është një grua puëntore, që me të vërtetë që është shtyllë e jonja, që i ndihmon grupit parlamentar, na ndihmon neve si aktivistë të Lëvizjes. Dhe kuptohet që ne bisedojmë jo vetëm më Dejonën, por i kemi edhe shumë aktivistë që na ndihmojnë” – tha Thaçi disa ditë më parë.

Një tjetër lëvdatë në drejtim të Mihalit erdhi disa javë më parë. Sërish ishte një deputete e VV-së, shumë pak e njohur, që nuk hezitoi të fliste fjalë të mëdha për Mihalin.

Mirlinda Sadiku-Tishukaj, deputete e VV-së, i kishte replikuar deputetit të PDK-së, Ardian Kastratit, në lidhje me akuzat ndaj Mihalit e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci për “krim të organizuar” me tekstet shkollore.

Në fjalën e saj, deputetja e VV-së kishte pretenduar se PDK-ja ia ka zili VV-së meqënëse e ka “një kapacitet të tillë si Dejona Mihali”. Madje, deputetja e VV-së e kishte lavdëruar aq shumë Mihalin sa kishte thënë se “idetë dhe vizioni i saj” e ka sjellë VV-në “te 51 përqindëshi”.

“E si duket PDK-ja na ka zili që kemi një kapacitet të tillë si Dejona Mihali, e cila ka qenë shefe e shtabit bashkë me Besnik Bislimin. Dhe pikërisht idetë dhe vizioni i saj na kanë sjellë te 51 përqindëshi. Prandaj nuk është e mirë një gjë e tillë që e bëni. Na e keni edhe ju LDK-ja, se ju jeni mbetë sa dy ekipe të volejbollit, as lojtarë rezervë nuk keni…” – ka thënë deputetja e LVV-së.

Sjellim ndër mend që Mihali është kritikuar nga nga opozita për ndërhyrje në Qeverinë Kurti, ndërsa ish-deputeti i VV-së, Haki Abazi, e ka quajtur Mihalin "mashë të Kurtit".

“Nga shkurti i vitit të kaluar, kam depozituar kërkesën për formimin e komisionit hetimor për privatizim. Është bllokuar nga Dejona Mihali. Arsyeja pse po e përmendi me emër është sepse është dora, është masha e kontrollit të grupit parlamentar, duke mbivendosur mbi vullnetin e secilit deputetë, e cila vije pa asnjë legjitimitet në Lëvizjen Vetëvendosje. Zonja Mihali nuk ka qenë pjesë e votimit, pjesë e listës së deputetëve, nuk ka qenë në garën e brendshme në LVV, por është njeriu kryesor e cila kontrollon dhe menaxhon me grupin parlamentar dhe vendimmarjen që bëhet aty” – kishte deklaruar kohë më parë Abazi, i cili tash është deputet i pavarur në Kuvend.

Lajme të ngjashme