Shtyhet seanca për çnjohjen e Kosovës: Çka dihet për iniciativën e Komunës së Zetës - NACIONALE

Shtyhet seanca për çnjohjen e Kosovës: Çka dihet për iniciativën e Komunës së Zetës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Grupi i asamblistëve “Për të ardhmen e Zetës”, i drejtuar nga Fronti Demokratik, e mbështetur edhe nga Partia Popullore Demokratike, në Kuvendin Komunal të Zetës në Mal të Zi kishin iniciuar një deklaratë ku kërkohet tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Në seancën e radhës të Asamblesë Komunale të Zetës, e caktuar për mbrëmjen e së dielës ku do të votohej për këtë nismë, ka dështuar për shkak të mungesës së kuorumit, raportoi media e Podgoricës, “Vijesti”.

Kjo deklaratë e nisur nga blloqet pro-serbe dhe pro-ruse të Frontit Demokratik dhe koalicionit “Për Të Ardhmen e Zetës”, do të shtyhet për një ditë tjetër.

Koalicioni "Për të ardhmen e Zetës", i cili ka 16 ulëse në asamble (nga gjithsej 32) dhe këshilltarja e Partisë Popullore Socialiste (SNP) Sllagjana Kalugjeroviç, e cila e konfirmoi këtë sot për "Vijesti", nuk do të marrin pjesë në seancë.

Çfarë është kjo nismë?

Nuk i ka as një vit që kur është bërë komunë më vete në Mal të Zi. Komuna e Zetës ditëve të fundit u bë lajm kur një grup këshilltarësh komunalë të mbështetur nga Fronti Demokratik pro-serb që udhëhiqet nga Andrija Mandiq (parti kjo që gëzon “bekimin” e Aleksandar Vuçiqit si “përfaqësuesit legjitimë të serbëve në Mal të Zi") nisi një iniciativë ku kërkuan tërheqjen e njohjes së shtetit të Kosovës “brenda territorit të kësaj komune”.

Nga partia Fronti Demokratike në Mal të Zi kishin deklaruar se njohja e Pavarësisë së Kosovës është në kundërshtim me interesat kombëtare të Malit të Zi dhe shumicës së qytetarëve të tij.

“Përkundër faktit se mbi 85 për qind e qytetarëve të Malit të Zi ishin kundër njohjes së të ashtuquajturit shtet i Kosovës dhe përfshirjes së tij në organizatat ndërkombëtare, sepse kjo është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, qeveritë e Zdravko Krivokapiq dhe Dritan Abazoviq ndoqën vazhdimësinë e politikës së jashtme të Milo Gjukanoviqit dhe Dushko Markoviqit, e cila është në kundërshtim me interesat kombëtare të Malit të Zi dhe shumicës së qytetarëve të tij.” - thuhet në njoftimin e kësaj partie, siç e citoi media serbe “Danas”.

Në momentin kur kjo nismë u bë publike, u përkrah edhe nga partia Popullore Demokratike në këtë vend, duke u shprehur të bindur se kjo nismë do të kalojë.

“Ne përkrahim fuqishëm vendimin e grupit të këshilltarëve komunalë ‘Për të ardhmen e Zetës’ i drejtuar nga Fronti Demokratik për miratimin e një deklarate në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal të Zetës për anulimin dhe pavlefshmërinë e vendimit për njohjen e të ashtuquajturit të shtetit të Kosovës në territorin e komunës së Zetës.” - thuhet në dokumentin e siguruar nga KosovaPresstë Partisë Popullore Demokratike të Malit të Zi.

Më të iniciuar këtë nismë, Gazeta Nacionale kishte biseduar me aktivistin nga organizata jo-qeveritare “Alternativa Crna Gora”, Vesko Pejak, si dhe redaktoren për politikë në gazetën e Podgoricës “Vijesti”, Biljana Matijaseviq, për të marrë një koment se a ka në fakt vlerë një gjë e tillë, ku që të dy ishin përgjigjur negativisht: Nuk ka kurrfarë vlere në aspekt politik. Por, pse u bë? Në funksion të fushatës para-elektorale për zgjedhjet parlamentare që mbahen në qershor.

“Edhe po qe se Komuna e Zetës (e udhëhequr nga Fronti Demokratik) do ta miratonte këtë iniciativë, ajo s’ka kurrfarë vlere ose force ligjore në nivelin shtetëror.” - kishte Biljana Matijaseviq në një bisedë me Nacionalen.

Vesko Pejak, madje tregon se as brenda vetë Frontit Demokratik nuk ka unanimitet për (ç)njohjen e Kosovës, përveç asaj që një inciativë e tillë nuk ka kurrfarë peshe e as vlere politike në nivelin shtetëror.

“Po, Fronti Demokratik këtë e solli para zgjedhjeve (parlamentare). Kjo është arsyeja e vetme. Për shkak të zgjedhjeve më 11 qershor e nxorrën këtë për gjoja tërheqjen e njohjes, por nuk ka asnjë rëndësi/kuptim kjo as për shtetin e Malit të Zi e as në vendimmarrjen politike të Malit të Zi.” - na thotë Pejak.

Lajme të ngjashme