Shtyhet deri në mesnatë afati për dorëzimin e listave në KQZ: Kush e ka fajin?
Anise partitë politikë patën mbi 100 ditë kohë për ta aplikuar për certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe për të dorëzuar listat me kandidat, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe kështu, afati është shtyrë deri të mërkurën në mesnatë.
Kjo është bërë e ditur nga zëdhëënsi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi i cili njoftoi se afati është zgjatur deri në orën 23:59 sot.
Sipas tij, shkak për zgjatjen e afatit është procesi që për herë të parë realizohet përmes platformës online dhe “disa nga subjektet politike kanë pasur vështirësi në përdorimin e platformës”.
“Ju njoftoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zgjatur afatin për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, deri në orën 23:59 të ditës së sotme, e mërkurë, 11 dhjetor 2024. Këtë vendim, KQZ e mori gjatë mbledhjes së sotme duke pasur në konsideratë se për herë të parë ky proces realizohet përmes platformës online http://certifikimi.kqz-ks.org dhe disa nga subjektet politike kanë pasur vështirësi në përdorimin e platformës.” – ka thënë ai.
Ndërkohë, deri në orën 16:00 kur fillimisht ishte afatit, vetëm dhjetë subjekte politike kanë dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë.
Në lidhje me këtë, ka reaguar Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës. Ai fillimisht, ka theksuar se partitë kanë pasur kohë nga një shtatori, pra 102 ditë, për të aplikuar për certifikim.
Cakolli ka shtuar se derisa faji për shtyrje po tentohet t’i lihet platformës online, faktorët janë partitë, sidomos ato të mëdha, që sipas tij, nuk e kanë marrë seriozisht procesin.
“Ndonëse faji për këtë shtyrje po tentohet t’i lihet problemeve të platformës online, në fakt, fajtorët e vetëm janë partitë (sidomos ato të mëdha) që nuk e kanë marrë seriozisht procesin, duke i lënë aplikimet për momentet e fundit.
E sistemi online, si zhvillimi më pozitiv i KQZ-së në këto zgjedhje, ka funksionuar si është më së miri.
Për më keq, vendime dhe arsyetime të tilla, e cenojnë besimin e publikut në punën e KQZ-së dhe në tërë procesin zgjedhor.” – ka shtuar ai.
Deri më tani, prej partive parlamentare, VV, PDK dhe AAK nuk kanë publikuar ende listat me kandidatë.
Lista e LDK-së
LDK e bëri publike listën e saj para pak ditësh. Aty, bëjnë pjesë zyrtarët më të lartë të këtij subjekti politikë, duke përfshirë kryetarët e komunave nga kjo parti.
Prej deputetëve aktual të LDK-së, në listë nuk figuron vetëm emri i Agim Veliut.
Përveç parisë së partisë, deputetëve dhe kryetarëve të komunave që udhëhiqen nga LDK-ja, në listë janë përfshirë edhe dy nënkryetaret e Prishtinës, Jehona Jushaku-Sadriu dhe Alban Zogaj.
Kandidat për deputetë të kësaj partie do të jenë edhe prurjet e reja si Drita Millaku, Lulzim Zhegrova dhe Lumbardh Salihu.
Partia e Lumir Abdixhikut ka përfshirë edhe emra të rinjve të kësaj partia si Paris Guri, kryetari i Forumit Rinor.
Para anëtarëve të këshillit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë me dije se kjo është lista më përmbajtjesorja dhe më profesionalja që ka Kosova sot.
Ai ka vlerësuar se për herë të parë LDK-ja ka në listë 36% të kandidatëve gra për deputete.
“Në veçanti, dua të shpreh falënderim, që këtë herë, LDK shënon një histori të re, dhe atë me vet iniciativë. Këtë herë, për herë të parë, LDK ka 36% të kandidatëve gra. Do të punojmë që kjo përqindje në të ardhmen të jetë dhe më e lartë; do të angazhohemi që në LDK dhe në skenën politike të ketë më shumë gra! Gra të fuqishme, shtet i fuqishëm! Në këto zgjedhje, do t’i kemi dhe 5 kandidatë nga mërgata. Dy nga Zvicra, dy nga Gjermania dhe një nga Austria.” - ka vlerësuar Abdixhiku.