Shtohen kërkesat për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë
Bashkësia ndërkombëtare ka shtuar presionin ndaj Qeverisë për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovës.
Përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së kanë shpeshtuar kërkesat ndaj Qeverisë për këtë çështje.
Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar bisedime me vendet e QUINT-it dhe BE-së për gjetjen e një zgjidhjeje për zgjedhjet serbe, të cilat do të mbahen më 3 prill.
“Ne kemi shprehur qëndrimin tonë dhe konsiderojmë që në njërën anë nuk duhet që t’ua pamundësojmë serbëve në Kosovë, që përveçse kanë nënshtetësinë e Kosovës dhe atë të Serbisë, ta kenë të drejtën e votës. Mirëpo në anën tjetër kushtetutshmëria, ligji në Kosovë, rezoluta e fundit e 15 janarit, neve na e obligojnë bazën e çfarëdo zgjidhjeje që do të marrim në të ardhmen. Jemi në kontakt me ambasadat e QUINT-it dhe BE-së këtu në Kosovë në mënyrë që të shohim se çfarë zgjidhje mund të gjejmë që edhe të drejtat të mos shkelen, por kurrsesi të mos cenohet shtetësia, kushtetutshmëria, sundimi i ligjit dhe rezoluta”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, qeveria ka vullnet për një zgjidhje, e cila respekton Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
“Ne do ta gjejmë një zgjidhje për këtë dhe konsiderojmë që ajo zgjidhje nënkupton vullnetin e mirë, por para së gjithash, edhe dysheme edhe tavan është kushtetushmëria dhe sundimi i ligjit. Nuk duam që asnjë qytetar i Kosovës që e ka nënshtetësinë e Serbisë të privohet nga e drejta e votës.”, ka thënë ai.
Mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në Kosovës, dje e ka kërkuar edhe këshilltari Special në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, gjatë një bisede telefonike që ka pasur me kryeministri Albin Kurti.
Në llogarinë e tij në Twitter, diplomati amerikan ka shkruar se për këtë çështje duhet të gjendet një zgjidhje.
“Me kryeministrin Albin Kurti. E falënderova atë për mbështetjen e tij të fortë për Ukrainën dhe theksova rëndësinë e sigurimit të votuesve me të drejtë vote në Kosovë që të mund të marrin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë që do të mbahen me 3 prill”, ka shkruar Chollet.
Dite më parë, edhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka kërkuar që Kosova dhe Serbia duhet ta gjejnë një zgjidhje për këtë çështje.
“Një ndër çështjet më të rëndësishme për këtë është forcimi i besimit në rajon. Para së gjithash nevojiten përparime në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Këto dy shtete duhet të gjejnë një zgjidhje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe atyre presidenciale të Serbisë, më 3 prill”, ka deklaruar ajo, gjatë një konference me kryeministrin Albin Kurti.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, në muajin e kaluar, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë bërë thirrje që të mundësohet ushtrimi i së drejtës së votës në Kosovë.
Më 16 janar, Kosova nuk e ka lejuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovës. Për këtë Qeveria kishte marrë mbështetjen edhe të spektrit opozitar.
Madje, Kuvendi kishte nxjerrë edhe rezolutë për këtë çështje. Sipas këtij dokumenti, mbajtja e referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës, cenonte sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Rezoluta ishte propozuar nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Grupit Multientik.
Për çështjen e referendumit, institucionet e Kosovës kishin propozuar që serbët në Kosovë, të cilët kanë shtetësi të dyfishtë të mund të votonin në referendumin e Serbisë nëpërmjet postës apo në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë.
Refuzimin e këtij referendumi nuk e kishin pritur mirë nga ndërkombëtaret, të cilët vazhdimisht kishin bërë thirrje që Kosova ta lejonte mbajtjen e këtij referendumi.
Zgjedhjet e fundit parlamentare serbe, të cilat janë mbajtur në qershor të vitit 2020, janë organizuar edhe në Kosovë.