Shteti hesht, qytetarët s’ndalen: Protestohet kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike
Një numër i madh i qytetarëve kanë protestuar pasditen e së shtunës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike. Protesta ka nisur nga sheshi “Skënderbeu”, deri te objekti i Ministrisë së Ekonomisë e cila e ka pranuar këtë vendim.
Protesta nisi nën brohorimat “Asnjë cent më shumë”. Në disa pamje të publikuara nëpër rrjete sociale, u pa një numër i maddh i pjesëmarrësve.
Protestuesit mbanin në duar edhe posterë si “gjysma rrogës rrymë” e “nuk jemi bankomat”, transmeton Nacionale.
Në fund, posterët u lanë para objektit të Ministrisë së Ekonomisë, e drejtuar aktualisht nga Artane Rizvanolli, e cila ka bërë edhe deklarata ndaj atyre që kundërshtuan këtë vendim.
“Të dashur qytetarë, më 11 prill ka me u marrë vendimi, mos ta lejojmë këtë masë dhe mos ta lëshojmë prej dore, më 10 prill prap, kah 3, kah 4, kah 10, kah 100 me vete, kjo nuk tolerohet, asnjë cent ma shumë” – tha në fund Dibran Hoxha, i cili ka organizuar disa protesta këto ditë kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
Në një komunikatë të gjatë të publikuar para një jave, Qeveria në detyrë, më konkretisht Ministria e Ekonomisë, pranoi rritjen e tarifave për energjinë elektrike.
Njoftimi i Qeverisë Kurti, i cili përmbante mbi 900 fjalë, anise nuk përmendte fjalët “për” apo “kundër”, tregon se rritja e tarifave pranohet, me vetëm një kundërshtim.
Ministria e Ekonomisë ka thënë se “konsideron” që rritja nuk duhet të prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kWh.
“Në këtë drejtim, konsiderojmë se është e drejtë që rritja të mos prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kËh dhe të shtohet numri i brezeve (blloqeve) të konsumit për konsumin mbi 800 kWh. Këto, duke marrë parasysh analizat tona të trendeve dhe shpërndarjes së konsumit të cilat i përmbledhim shkurtimisht më poshtë” - thuhej mes tjerash aty.
Të premten ndërkaq, presidenca e Kosovës doli haptas me kundërshtim ndaj kësaj rritje.
Përmes një reagimit të gjatë nga presidenca, thanë se po i ndjekin me shqetësim zhvillimet e fundit në vend, të cilat paralajmërojnë një rritje të mundshme të çmimit të energjisë elektrike.
“Në vazhdë të një rritjeje potenciale, rikujtojmë se rritja e tarifave nuk mund të bëhet si një proces i izoluar, por duhet të marrë parasysh kontekstin zhvillimor dhe aspektin e mirëqenies në vend. Kjo kërkon një analizë të mirëfilltë të rrethanave duke u fokusuar poashtu në mbrojtjen e konsumatorëve dhe situatën ekonomike aktuale.
Në këtë moment, një vendim i mundshëm nga Rregullatori për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët do të ishte në kundërshtim edhe me kornizën ligjore, e cila obligon ZRrE-në që ta sigurojë mbrojtjen e konsumatorit (Neni 1, Ligji për Rregullatorin e Energjisë).” – thuhet në reagimin e presidencës.
Propozimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike është kundërshtuar fuqishëm nga qytetarët, opozita, shoqëria civile dhe institucione të caktuara. Një që e tillë po shihet i panevojshme dhe në dëm të qytetarëve.
Individë të ndryshëm, OJQ dhe institucione të caktuara kanë dorëzuar komentet e tyre në ZRRE, ku kanë treguar se si mund të shmanget rritja e tarifave.
Në këto komente, në detaje, tregohen masat që duhet të ndërmerren nga operatorët energjetikë në mënyrë që t`i kursehen qytetarët nga ngritja e serishme çmimit të energjisë elektrike.