“Shtet brenda shtetit”: Statusi i ri i Kishës Ortodokse të Serbisë në Kosovë shqetëson të gjithë - NACIONALE

“Shtet brenda shtetit”: Statusi i ri i Kishës Ortodokse të Serbisë në Kosovë shqetëson të gjithë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pika 7 e planit të BE-së po konsiderohet më problematikja për Kosovën. Përveç një niveli të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në këtë pikë flitet edhe për zyrtarizmin e një statusi të ri të Kishës Ortodokse Serbe.

Qeveria nuk ka treguar se për çfarë statusi bëhet fjalë, kurse opozita është shprehur e shqetësuar me marrëveshjen e pranuar nga kryeministri Albin Kurti.

Zyrtarët e opozitës kanë bërë me dije se paragrafi dy i nenit të 7 të marrëveshje flet për krijimin e një shtet brenda shtetit të Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, është shprehur i brengosur me këtë pikë të marrëveshjes.

Ai ka thënë se një status tjetër i Kishës Ortodokse Serbe do të krijon një shtet brenda shteti.

“Status special për kishe serbe ne Kosovë. Çka nënkupton kjo? Z. Kurti duhet ta shpjegon se çka është statusi special me modele evropiane të kishës serbe në Kosovë, me fokus të veçantë çështjet e sigurisë, sipas praktikave evropiane”, ka thënë Gashi.

Duke përendur disa rregullime të statuseve të kishave në Evropë, ai ka kërkuar që kryeministri Albin Kurti të sqarojë këtë çështje.

Disa prej praktikave të mira evropiane që ne i dimë është Vatikani që është shtet brenda shtetit në Itali, kemi çështjen e Malit Athos dhe kishës në Greqi , kemi disa çështje të kishave në Spanjë, etj. Nëse dalim prej BE-së, kemi zgjidhjen mesjetare të kishës ortodokse në Turqi. Cilin model evropian e ka pranuar z. Kurti? Sepse këto pak a shumë janë shtet brenda shtetit", ka thënë Gashi në emisionin Ribikon.

I shqetësuar me këtë pikë është shprehur edhe deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

Ai ka thënë se në këtë mënyrë kishës ortodokse serbe do t`i jepet një autonomi i madhe.

Kur duhet të sillet për ratifikim në Kuvend, për t’i diskutuar veçanërisht nenet 7 dhe 10 të marrëveshjes, të cilat nene nga një ‘zajednicë’ e mëhershme, tani kemi dy ‘zajednica’ dhe një autonomi (shih nenin 7 të marrëveshjes): ‘Zajednica’ e komunave; ‘Zajednica’ e kishave dhe Autonomia e veçantë e dy ‘zajednicave’, në lidhje direkte me Beogradin”, ka thënë Shala.

Bislimi nuk e ka të qartë se për çfarë statusi bëhet fjalë

As zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nuk ka mundur të jep sqarime të duhur për këtë pikë të marrëveshjes.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, ai ka thënë vetëm se mendon se kjo pikë nuk paraqet ndonjë rrezik.

Statusi i Kishës Ortodokse është edhe pjesë e planit të Ahtisarit. Mendoj se në këmbim të privilegjeve që merr Kosova me anëtarësimin në organizata ndërkombëtarë dhe dakoridimin se të gjitha problemet t`i zgjidh me mjete paqësore, BE-ja dëshiron më pa një përkushtim të Kosovës në mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve. Kjo nuk është vetëm mbrojtje në të drejta e arsimit, shëndetësisë dhe kulturës, por edhe në trashëgiminë kulturore. Kosova ka ligje që e rregullojnë lirinë religjioze dhe mbrojtjen e trashëgimisë religjioze dhe mendoj se këto duhet të formalizohen me një dokument. Për mendimin tim, kjo nuk përbën kurrfarë rreziku, por as kurrfarë të drejta shtesë për një komunitet të caktuar religjioz”, ka thënë Bislimi.

Kur është pyetur nga gazetarja, ai nuk ka mundur të thotë nëse bëhet fjalë për eksterritorialitet.

Ne mendojmë se as trashëgimia e kishës ortodokse serbe nuk është e rrezikuar. Në fakt historikisht këto monumente janë mbrojtur nga shqiptarët, në të kaluarën janë shfrytëzuar nga shqiptarët, janë trashëgimi e përbashkët. Por meqë lidershipi i këtij komuniteti ende shpreh brengen se nuk gëzojnë mbrojtjes të mjaftueshme, ne mund të diskutojmë për atë se çka është nocion i përbashkët i mbrojtjes", ka thënë Bislimi.

Bislimi ka pranuar se kjo pikë në marrëveshje është futur me insistimin e Serbisë.

Sepse nga Beogradi vazhdimisht është ngritur si shqetësim i tyre shkelja e të drejtave të komunitetit religjioz ortodoks në Kosovë dhe ata mendojnë se kjo duhet të rregullohet edhe me ligj te veçantë”, është shprehur Bislimi.

Kurse, deputeti LDK-së, Driton Selmanaj, ka bërë me dije se në këtë paragraf flitet për eksterritorialitet.

Paragrafi 2 i nenit 7 të Marrëveshjes parasheh: ‘Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane’. Për çfarë zyrtarizimi po flasim? Për çfarë statusi të Kishës? Eksterritorialitet?! Me shumë gjasë skenari i Kishës Ortodokse të Serbisë i cili u firmos me Malin e Zi përmes Dritan Abazoviqit, do të aplikohet edhe në Kosovë përmes Albin Kurtit”, ka shkruar Selmanaj.

Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, të cilin e ka Kosova, sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb, si dhe për komunitetet e tjera në Republikën e Kosovës.

Lajme të ngjashme