SHSASHJ: U ndërruan disa pozita, në MPJ po bëhen shkelje të ligjit
Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Kosovës ka shprehur shqetësimin rreth disa vendimeve brenda MPJD-së.
Në një komunikatë për media, SHSASHJ deklaron që janë bërë shkelje të Kushtetutës, ligjeve dhe akteve nga ministrja, zëvendësministrja dhe zëvendësuesi i sapoemëruar i Sekretarit të Përgjithshëm.
Aty thuhet se para disa javësh, ministrja e zhvendosi Behar Ismën nga pozita e Zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm, në pozitën e Zëvendësuesit të Drejtorit të Departamentit Ligjor.
Po ashtu, përmendet se Ilir Muçaj është vendosur në pozitën e Zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm.
“Në përpjekje për t'i shmangur pasojat ligjore, para pak javësh Ministrja e zhvendosi z. Behar Isma nga pozita e Zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm - të cilën pozitë e mbajti si zëvendësues mbi dy vjet - në pozitën e Zëvendësuesit të Drejtorit të Departamentit Ligjor në MPJD. SHSASHJ ka kërkuar opinion nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK). Ndërkohë, z. Ilir Muçaj u instalua në pozitën e Zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm, zyrtar i sapo-transferuar në MPJD nga pozita e Udhëheqësit të Divizionit (një nivel më ultë se pozita e Drejtorit të Departamentit1) nga Zyra e Kryeministrit ku mbajti pozitën "Shef i Divizionit për Energji, Mjedis dhe Transport". Edhe paraardhësi z. Behar Isma ishte Shef i Divizionit në ish-Ministrinë e Diasporës para se të emërohej në pozitën e Zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm në MPJD.” – thuhet në komunikatë.
Tutje, sipas kësaj shoqate, Muçaj pak ditë pas marrjes së detyrës, ka formuar një komision për t’i graduar në mënyrë të jashtëlighshme Behar Ismën dhe Drejtorin e Departamentit të Financave, Mizbah Mustafa.
“Z. Muçaj, në aktivitetin e vet të parë zyrtar në pozitën e re e vërtetoi se nuk e ka problem mosrespektimin e legjislacionit. Vetëm pak ditë pas marrjes së detyrës si Zëvendësues i Sekretarit të Përgjithshëm, formoi një komision për ti graduar në mënyrë të paligjshme madje me disa grada përnjëherë paraardhësin e tij z. Behar Isma dhe Drejtorin e Departamentit të Financave z. Mizbah Mustafa. I gjithë procesi u zhvillua nën masa të rrepta fshehtësie, duke iu mohuar mundësitë e barabarta zyrtarëve të MPJD-së, pra duke mos iu dhënë mundësia e shprehjes së interesimit për gradim. Komisioni për grada dhe disiplinë kërkohet që të mblidhet dy herë në vit, por nuk është thirrur për vite të tëra. Një numër i konsiderueshëm i diplomatëve janë në prag të përfundimit të mandatit të tyre në misione me grada të njëjta, disa janë pranë pensionimit, e disa të tjerëve nuk iu është dhënë asnjëherë mundësia për të shërbyer jashtë vendit në mungesë të gradave.” – thuhet tutje.