Shqiptarët e Luginës protestojnë sërish, marshi mbahet në Preshevë - NACIONALE

Shqiptarët e Luginës protestojnë sërish, marshi mbahet në Preshevë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shqiptarët e Luginës do të vazhdojnë të protestojnë kundër shkeljeve të të drejtave të tyre nga Serbia.

Sot ata do të marshojnë në Preshevë me moton “Për identitet dhe dinjitet”.

Protesta do të fillojë në orën 13:00.

Kryetarja e Preshevës Ardita Sinani ka thënë se në këtë protestë do të kërkohet ndërprerja e pasivizimit të adresave të shqiptarëve nga Serbia, njohja e diplomave e vende të punës.

“Të marshojmë për barazi dhe drejtësi! Në gusht ishim në Bujanoc, në shtator jemi në Preshevë, për të dëshmuar se jemi një. Problemet tona nuk mund të shtyhen më. Aspak më pak se sa na takon, asnjëherë më shumë, por gjithmonë atë që meritojmë! Për zbatimin e Marrëveshjeve të nënshkruara dhe për përmbushjen e detyrimeve të shtetit ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Për Preshevën me Gjykatë, për institucione ku shqiptarët janë të përfaqësuar! Kjo është për të gjithë ne, për dinjitetin dhe identitetin tonë. Dilni dhe marshoni”, ka shkruar ajo në Facebook.

Për kërkesat ka folur me herët edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu.
“Kërkojmë vëmendjen e faktorit ndërkombëtar, do t’i qesim në pah të gjitha format e diskriminimit të cilat me vite po i realizojnë Serbia dhe normalisht i qesim në pah të gjitha ato marrëveshje dhe zotimet që Serbia i ka marrë karshi komunitetit shqiptar, ku në shumicën e marrëveshjeve kanë qenë ndërmjetësues edhe faktori ndërkombëtar, por që Serbia asnjëherë nuk i ka respektuar ato marrëveshje”, pati deklaruar ai.

Lajme të ngjashme