Shqipëria kryefjalë e samitit në Shkup, Kurti bën dy foto me VLEN-in
Me Planin e Rritjes si strumbullar i samitit dyditor të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria sërish ka marrë vlerësimet më të larta për reformat e saj drejt anëtarësimit në BE. Komisionerja për Zgjerim Marta Kos ka paralajmëruar se “dritarja e zgjerimit nuk do të rrijë e hapur përgjithmonë.” Për të disatën herë me radhë, kryeministrit në detyrë Albin Kurti i është kërkuar të përshpejtojë hapat në mënyrë që të zhbllokojë financimin nga Plani i Rritjes.
1 korrik 2025 – Samiti i krerëve të Ballkanit Perëndimor, i mbajtur dje dhe sot në Shkup, ka pasur për kryefjalë afrimin historik të Shqipërisë me BE-në.
Pavarësisht se Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor ishte në epiqendër të samitit me nikoqire komisioneren për Zgjerim, Marta Kos, kryeministri në detyrë Albin Kurti mori vetëm disa fotoshkrepje me aleatët e tij të vegjël në Shkup.
Të hënën, ai u prit prej zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut Izet Mexhiti, kurse sot u poq sy-me-sy edhe me zëvendëskryeministrin tjetër shqiptar, Arben Fetai.
Pak para nisjes së samitit, kryeministri Edi Rama, në paraqitjen e tij para gazetarëve, ka thënë se Shqipëria është më pranë BE-së sesa kurrë më parë.
“Ne jemi shumë krenarë, sepse praktikisht kemi përmbvushur të gjitha pikat për zbatim dhe vazhdojmë me pikat e tjera sipas kalendarit,” ka thënë Rama. “Kurrë nuk kemi qenë më afër realizimit të një aspirate shumëshekullore dhe më vjen mirë që ka një atmosferë të përgjithshme pozitive në këtë drejtim. Jemi shumë afër.”
Plani për Rritje ka për synim përshpejtimin e reformave dhe lehtësimin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor nën një treg të njësuar të BE-së.

Komisionerja Kos, duke theksuar rëndësinë e rajonit, ka thënë se “Evropa nuk mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor.”
Ajo ka nënvizuar konsensusin e sapokrijuar për zgjerim, anipse ka tërhequr vërejtjen se “dritarja e mundësisë nuk do të jetë e hapur përgjithmonë.”
Kos, me këtë rast, ka lavdëruar përparimet e bëra nga Shqipëria, duke thënë, “Shqipëria, i dashur kryeministër Rama, ka hapur tre kapituj në gjashtë muajt e fundit. Të faleminderit për kontributin tënd për suksesin në procesin e zgjerimit.”
Derisa ka lavdëruar edhe arritjet e Malit të Zi, zyrtarja e BE-së u ka bërë thirrje Bosnjes dhe Kosovës që t’i shtojnë përpjekjet e tyre.
“Në Bosnjë dhe Hercegovinë, agjenda e reformave është miratuar, dhe ne, zoti Kurti, po presim për qeverinë e re që të japë më shumë energji për procesin e anëtarësimit. Në ndërkohë, ne po lëvizim përpara edhe me Serbinë,” ka thënë Kos.
Plani për Rritje i BE-së (RGF – Reform & Growth Facility), me anë të të cilit vendet partnere kanë zhvilluar agjendën e reformave, është një mjet i përbashkët i përkushtimit për më shumë se 600 reforma ambicioze për të cilat BE-ja ka dhënë 6 miliardë euro mbështetje financiare.
Deri më tani, pagesat parafinancuese janë bërë për Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë.
Komisioni Evropian i ka bërë thirrje të përsëritura Kosovës që ta përshpejtojë procesin e miratimit ashtu që të hyjë në fuqi marrëveshja për hua për zhbllokimin e parafinancimit. /Nacionale/