Shpërthimi në Ibër: ‘Mund të shkaktojë pasoja të mëdha të furnizimit me ujë’ - NACIONALE

Shpërthimi në Ibër: ‘Mund të shkaktojë pasoja të mëdha të furnizimit me ujë’

6 ditë më parë

nga NACIONALE

Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar mbrëmjen e së premten në fshatin Varagë të Zubin Potokut, duke dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

Deri në këto momente, nuk ka shumë informacione nga Policia e Kosovës, me vetëm një deklaratë të zëvendës drejtorit për rajonin e veriut, Veton Elshani.

"Po, është dëgjuar një shpërthim në kanalin e ujit dhe ekipet policore janë duke punuar që sa më shpejtë ta ndriçojnë rastin.” – ka thënë ai.

Në videon më poshtë, mund të shihni pamje vendi i ngjarjes.

Në anën tjetër, kompania rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka dalë me njoftim për qytetarët, pas shpërthimit në një pjesë të kanalit të Ibër Lepencit.

Në një komunikatë për media, KRU “Mitrovica” ka kërkuar nga qytetarët të sigurojnë rezerva të ujit të pijës.

“Si pasojë e dëmtimit të një pjese të kanalit të Ibër Lepencit, nga i cili kanal ne furnizohemi me ujë të pa përpunuar, është ndërprerërë furnizimi me ujë të pijes.

Prandaj, ju lusim që të siguroni rezerva të ujit të pijës. Për çdo zhvillim të ri ne do u mbajmë të informuar” – thuhet në njoftim.

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri ka bërë me dije se nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale. Ai në “Politiko” ka thënë se “mendon që ka të bëjë me akt divertal terrorist me qëllim të dëmtimit”.

“Fjalën e fundit e japin Policia e Kosovës. Unë mendoj që këtu ka të bëjë për një akt divertal terrorist me qëllim të dëmtimit.” – ka thënë kryetari i Komunës.

Tutje, ai ka paralajmëruar se kjo mund të shkaktojë pasoja të mëdha.

“Natyrisht dëmtimi i këtij kanali mund të shkaktojë pasoja të mëdhaja të furnizimit me ujë të të gjitha qyteteve në Mitrovicë, Vushtrri e deri te Obiliq e anena.” – ka thënë ai.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka fajësuar Qeverinë Kurti, duke thënë se patën politikë të gabuar në veri.

“Shpërthimi i sotshëm në Ibër si edhe shpërthimi i mëparshëm në Zubin Potok manifeston mungesën e qasjes proaktike të Qeverisë së Kosovës dhe është pasojë e një politike krejt të gabuar të Qeverisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje në këtë pjesë të Kosovës.” – u shpreh Haradinaj.

Ai ka bërë thirrje që institucionet të punojnë ngushtë me KFOR-in dhe prezencën amerikane.

“Institucionet e sigurisë të punojnë ngushtë me KFOR dhe prezencën amerikane.

Naivitieti dhe mosnjohuria me esencën e problemit nga ana e zyrtarëve politikë të Qeverisë po rrezikon infrastrukturën strategjike të Kosovës.

Mjaft më me filma!” – ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, një tashmë është rrugës për në veriun e vendit. Për çdo zhvillim nga ky rast, qëndroni në Nacionale.

Lajme të ngjashme