Shpërthimi në Ibër Lepenc, presidentja takon komandantin e KFOR-it dhe ambasadorët e QUINT-it
Shpërthimi i mbrëmshëm në kanalin ujor të Iber Lepenci ka bërë që presidentja e Vjosa Osmani të takon përfaqësuesit e misioneve të huaja diplomatike dhe ushtarake.
Fillimisht, ajo ka takuar komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, me të cilin ka diskutuar për sulmin në infrastrukturën vitale të Republikës së Kosovës.
“Në këtë takim, Presidentja Osmani ritheksoi se sulmi terrorist ndaj infrastrukturës vitale dëshmon qëllimet e Serbisë për destablizimin e Kosovës dhe gjithë rajonit, duke cenuar sigurinë kombëtare të vendit tonë si dhe duke synuar krijimin e një krize humanitare. Presidentja shprehu vlerësimin e lartë për të gjitha institucionet e Kosovës për menaxhimin e suksesshëm të situatës së krijuar e poashtu falënderoi KFOR-in, i cili menjëherë ka ofruar të gjitha kapacitetet e tyre për të ndihmuar tejkalimin e kësaj gjendjeje si dhe parandalimin e sulmeve të ngjashme në të ardhmen”, është thënë në njoftimin për media të Presidencës.
Më pas, shefja e shtetit ka takuar edhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe ambasadorin e BE-së, me të cilët ka biseduar për zhvillimet e fundit në vend.
“Gjatë takimit, Presidentja Osmani ka potencuar cenimin që i është bërë sigurisë kombëtare të Kosovës përmes sulmeve në infrastrukturën vitale. Në takim u diskutua për reagimin e institucioneve përgjegjëse karshi kësaj situate, me ç’rast si Presidentja Osmani, sikurse edhe ambasadorët kanë bërë vlerësimin më të lartë për menaxhimin dhe punën e bërë. Në të njëjtën kohë, Presidentja Osmani theksoi sulmet sikurse ky i fundit synojnë jo vetëm destabilizimin e Kosovës, por paraqesin rrezik serioz për stabilitetin e gjithë rajonit. Presidentja Osmani i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta dënojë këtë sulm terrorist dhe të qëndrojë e bashkuar kundër çdo përpjekjeje për të minuar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Po ashtu, ajo ritheksoi se parandalimi i sulmeve të tilla në të ardhmen duhet të jetë fokusi kryesor. Në vazhdim të ditës, Presidentja do t’i takojë edhe institucionet e sigurisë në vend”, është thënë në njoftimin e presidencës.