Shpërthen Ramabaja, e akuzon Thaçin (pa ia përmendur emrin) për ndarjen e Mitrovicës: Marionetë e Francës - NACIONALE

Shpërthen Ramabaja, e akuzon Thaçin (pa ia përmendur emrin) për ndarjen e Mitrovicës: Marionetë e Francës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sadri Ramabaja, analist dhe aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, ka publikuar një shkrim të titulluar “Mitrovica nuk është “Thembra e Akili” për Serbinë”, ndonëse Ramabaja e ka shkruar veç Serbin, pra pa ë. Në shkrimin relativisht të gjatë, Ramabaja ka bërë disa akuza absolutisht të rënda në drejtim të Hashim Thaçit, ish-president i Kosovës, dhe Francës.

Në këtë shkrim, Ramabaja ka akuzuar Thaçin dhe shtetin francez se e kanë ndarë qytetin e Mitrovicës. Ndonëse nuk e përmend me emër, Ramabaja e ka pasur fjalën për Thaçin, kur e quan “marionetë” të Francës që u katapultua në krye të UÇK-së. Pse?

Në shkrimin e tij, Ramabaja e përmend “marionetën” franceze, e cila u katapultua në krye të UÇK-së dhe të delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë. Në të dy rastet, Thaçi ishte njeriu i vetëm që ishte edhe udhëheqës politik i UÇK-së dhe i delegacionit të Kosovës në Rambuje, që u mbajt në shkurt të vitit 1999. Pra në kohë lufte, Thaçi ishte edhe drejtor politik i UÇK-së, edhe kryetar i Delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë.

Akuza e njeriut me syze

Në fakt, fillimisht Ramabaja e akuzon Francën për ndarjen praktike të Mitrovicës.

“Në praktikë, Mitrovica është një qytet i ndarë me impenjimin direkt të KFOR-it francez, rrjedhimisht të shtetit të Francës fill pas përfundimit të luftës në Kosovë [1999]. Tashmë është I njohur akti i ndarjes së saj. Ndarja e qytetit të Mitrovicës u bë në emër të sigurisë për pakicën serbe, respektivisht në emrë të shmangies së tensioneve etnike që do ët mund të ndodhnin! Pasi NATO-s intervenoi për të ndaluar dhunën e qeverisë së Serbisë ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë, shumica e Kosovës u bë e pavarur në praktikë, ndërsa forcat e KFOR-it (Forca e Kombinuar e NATO-s) u vendosën për të ruajtur paqen dhe sigurinë në veri të Kosovës, me theks në Mitrovicë.” – shkroi ai.

Pas kësaj akuze, Ramabaja u zhyt pastaj në konspiracione, duke shkruar se KFOR-i francez “duket” se kishte një plan të detajuar që në Konferencën e Rambujesë. Madje, ky plan, në mendjen e Ramabajës, ishte akorduar me “marionetat e Francës” që “ia kishte dalë t’i katapultojë në krye të UÇK-së dhe rrjedhimisht edhe në krye të delegacionit kosovar”.

“Mitrovica ishte edhe para luftës, por është edhe sot një qytet me popullsi të përzierë etnikisht, megjithatë shumica ishin të përkatësisë etnike shqiptare. Pasi qyteti u lirua nga trupat e Serbisë dhe forcat paramilitare serbe, KFOR-i francez, duket me plan të detajuar paraprakisht dhe të akorduar që në Konferencën e Rambujesë me marionetat e saj që ia kishte dalë t’i katapultojë në krye të UÇK-së dhe rrjedhimisht edhe në krye të Delegacionit kosovar, imponoi një linjë ndarëse midis pjesës shqiptare dhe asaj serbe të qytetit. Kjo ndarje u arrit të çimentohet sidomos me pranimin e Pakos së Ahtisarit dhe ndarjen e qytetit në dy komuna.” – shkroi tutje Ramabaja.

Në fakt, historikisht një gjë e tillë nuk është e vertetë. KFOR-i u themelua përmes Rezolutës 1244, e cila u votua më 10 qershor 1999 nga ana e Këshillit të Sigurimit të Kombëve të Bashkuara. Pra KFOR-i francez nuk ka ekzistuar gjatë Konferencës së Rambujesë, e cila u mbajtë ndërmjet shkurtit dhe marsit të vitit 1999, pra 3 muaj para se të miratohet Rezoluta 1244.

Lajme të ngjashme