Shpërthen bombola e gazit, lëndohen katër persona në Bogë të Pejës
Sot në mesditë në një pushimore në Bogë të Rugovës, nga shpërthimi i një bombole gazi janë lënduar katër persona.
Të lënduarit janë dërguar në repartin e Emergjencës në Spitalin e Pejë, ku kanë pranuar ndihmën e parë, nga ku dhe janë dërguar për në QKUK.
Lajmi për Nacionale, e ka konfirmuar Shefi i Emergjencës në Spitalin e Pejës, Besnik Ibraj, ku ka thënë se tre nga të lënduarit janë transportuar në repartin e kirurgjisë plastike në QKUK.
‘’Tre nga të lënduarit, respektivisht një grua dhe dy burra, janë transportuar në repartin e kirurgjisë plastike në QKUK, ndërsa një tjetër i lënduar i vitit 1984, është ndalë për trajtim të mëtutjeshëm në repartin e kirurgjisë në Spitalin e Pejës’’, tha për nacionalen, Ibraj.
Ibraj ka deklaruar se katër të lënduarit kanë pësuar djegie të shkallës D3, ku kryesisht kanë djegie në pjesën e fytyrës.
‘’Të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë, mirëpo kanë djegie të shkallës D3 që është djegia më e lartë, kryesisht në pjesën e fytyrës, mirëpo djegiet shfaqën zakonisht më vonë. Ne i kemi dërguar për në QKUK, në gjendje stabile jashtë rrezikut për jetën. Jemi duke i pritur rezultatet dhe konstatimet e mjekëve’’, ka thënë Ibraja.