Shpërthejnë protesta në Greqi pas përplasjes së trenave që la 43 të vdekur
Në Greqi kanë shpërthyer protesta pas përplasjes së dy trenave, aksident me 43 të vdekur. Shumë njerëz e kanë parë këtë rast si aksident që ishte pritur të ndodhte.
Protestuesit u përleshën me policinë para zyrës qendrore të kompanisë “Hellenic Train” në Athinë, e cila është përgjegjëse për mirëmbajtjen e hekurudhave në Greqi, raporton televizioni BBC.
Përpos në kryeqytet, protesta u mbajtën edhe në Selanik e në Larissa, afër vendit ku ndodhi fatkeqësia të martën në mbrëmje.
Qeveria ka thënë se drejtësia do të vendoset përmes një hetimi të pavarur. Autoritetet kanë shpallur tri ditë zie pas këtij rasti.
Shumë prej 350 pasagjerëve ishin studentë në të njëzetat që po ktheheshin në Selanik pas një fundjave të gjatë. Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka thënë se fajtor për fatkeqësinë është një “gabim tragjik njerëzor”.
Një përgjegjës 59-vjeçar i stacionit të trenit në Larissa është akuzuar për vrasje nga neglizhenca. Ai ka mohuar se ka bërë ndonjë gabim, duke ia lënë fajin një problemi teknik për aksidentin.
Anëtarët e sindikatës së hekurudhave besojnë se sistemet e sigurisë nuk ishin duke punuar si duhet dhe për këtë gjë ka pasur disa herë vërejtje me kalimin e viteve.
Punëtorët e hekurudhave kanë planifikuar që të protestojnë të enjten për atë që ata thonë se është neglizhim i këtij sektori nga autoritetet.
“Dhimbja është shndërruar në zemërim për dhjetëra të vdekurit, kolegët e lënduar e bashkëqytetarët”- thuhet në një deklaratë të sindikatës së punëtorëve, në të cilën njoftohet për grevën.
Ministri i Transportit, Kostas Karamanlis, ka dhënë dorëheqje, duke thënë se do ta marrë përgjegjësinë për “dështimet e gjata” të autoriteteve për të rregulluar një sistem hekurudhash për të cilin tha se nuk është i përshtatshëm për shekullin XXI.
