Shpërndarja e Kuvendit këtë javë? Kusari-Lila: Vetëm nëse opozita unifikohet, nuk ka kërkesë zyrtare
Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se këtë javë do të mbahen dy seanca në Kuvendin e Kosovës.
Seanca e parë do të jetë të enjten ku do të jetë vazhdimi i seancës që mbeti në gjysmë.
Kurse, të premten do të ketë debat për 3 vjet qeverisje të Vetëvendosjes.
Kusari-Lila ka deklaruar se nuk ka kërkesë zyrtare për shpërndarjen e Kuvendit. Debati për 3 vjet qeverisje sipas saj, parasheh rrëzimin e qeverisë, por që ajo tha se VV-ja nuk e mbështetë.
“Kërkesë zyrtare për shpërndarje të Kuvendit nuk ka, është vetëm kërkesa për 3 vjet qeverisje. Propozimi i AAK-së me të cilën kanë propozuar rrëzimin e qeverisë, dhe ne nuk e mbështesim”, tha ajo, raporton Nacionale.
Shefja e deputetëve të VV-së ka thënë se nuk do të ketë shpërndarje të Kuvendit pa pasur unifikim të opozitës në këtë temë.
“Ne jemi deklaruar. Asnjëherë nuk kemi thënë se kemi frikë nga zgjedhjet apo rikonfimimi i mandatit, por nuk mund ta bëjmë këtë me vetëm njërin grup parlamentar të opozitës. Ne konsiderojmë se kjo qeveri ka plotësuar kushtet për mandat të plotë qeveritar dhe legjislastiv”, tha Kusari-Lila.
Ajo theksoi se nuk ka mundësi të ketë shpërndarje të Kuvendit, me vetëm një parti të opozitës.
“Në raport edhe me kërkesën apo edhe përgjegjësinë që ne kemi, nuk ka balancë. Por nëse kemi opozitë të bashkuar që kërkon shpërbërjen e Kuvendit, e trajtojmë edhe deklarohemi për datën e përbashkët për shpërndarjen e Kuvendit”, theksoi Mimoza Kusari-Lila.
Kërkesa për shpërndarje të Kuvendit doli nga darka mes Memli Krasniqit e Albin Kurtit.
Darka e zgjedhjeve
“Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi që zgjedhjet e radhës janë çështje të viteve, por janë çështje të muajve. Edhe unë jam i interesuar ta diskutojë me opozitën se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme. Në përgjithësi janë pranvera dhe vjeshta më të përshtatshme për zgjedhje por nëse shkon mandati deri në fund do të mbahen në dimër. Por nuk dua që për këtë ta imponojë vullnetin tim. Debatin le ta bëjmë në kuadër të fushatës zgjedhore, ndërkohë që jemi pajtuar për datën e zgjedhjeve. Darka ka zgjatur shumë, por nuk jemi parë kaherë dhe kishim shumë gjëra për të diskutuar. Duhet të diskutojmë më të gjitha subjektet politike dhe të shohim se cila është data që pajtohemi më së shumti pë zgjedhje”, ka thënë ai.
Ngjashëm për zgjedhje të parakohshme u deklarua edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Është evidente që unë dhe Kurti mund të kemi lexime të ndryshme të situatës dhe ndonjëherë preokupimet e qytetarëve të Kosovës nuk janë preokupimet e kryeministrit. Nga takimet që kemi në çdo cep të Kosovës ne nuk jemi në gjendje të mirë. Kosova është në agoni, kemi ekonomi të stagnuar, kemi rritje enorme të çmimeve me paga dhe pensione të vogla që nuk iu mjaftojnë familjeve kosovare ta lidhin muajin me muaj. Kemi shëndetësi që është në gjendje të rëndë, arsim të degraduar dhe politikë të jashtme pothuajse inekzistente. Për më shumë një parlament jofunksional ku barten pikat nga muaji në muaj. Tani kemi edhe situatë të rënduar edhe sa i përket anëtarësimit të Kosovës në KiE. Si duket do të jetë dështim. Ja shpreha edhe Kurtit që duhet përshpejtuar puna për t’u dhënë zgjidhje këtyre temave. PDK e ka nominuar edhe kandidatin për kryeministër, por për të arritur deri aty duhen zgjedhje parlamentare”, ka thënë kryetari i PDK-së.
Për darken që mund të quhet lirisht si Darka e Zgjedhjeve, reagoi edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Është aktualizuar së fundmi një nismë për shpërbërjen e Parlamentit. S'ka asnjë mëdyshje se prapa kësaj nisme është Kryeministri. Duket që po i rrëshqet toka nën këmbë dhe dëshpërimisht po e kërkon shpëtimin e vet. Në këtë prizmë duhet parë edhe insistimi i tij që pas tre vjet qeverisjeje, më në fund kërkon takim me liderët e opozitës, në mos ata po bëhen shpëtimtarët e tij”, ka thënë Haradinaj.
“Sidoqoftë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të mund ta mbështeste shpërbërjen e Parlamentit, vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kryeministrit. Në situatën në të cilën jemi aktualisht, të gjitha dështimet e Kosovës, brenda dhe jashtë, e kanë vetëm një emër - Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti!”, ka shkruar ai.
AAK-ja dhe LDK-ja theksuan se kryeministri duhet të jep dorëheqje, përderisa nuk e mbështesin mocionin për shpërndarje të Kuvendit.