Shpenzimet e karburantëve, punësimi dhe rritja ekonomike – LDK-ja intensifikon "luftën" me pushtetin 'kundër propagandës'
Me zgjedhjet në horizont, përplasja mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është intensifikuar, me këtë të fundit që ka akuzuar në vazhdimësi Qeverinë e Kosovës për përdredhje të indikatorëve ekonomikë përmes të cilëve – sipas tyre – po tenton të prezantojë një peizazh pozitiv të Kosovës gjatë mandatit katërvjeçar. Qeveria është vënë në shënjestër të kësaj partie për pretendimet për punësim, rritje ekonomike dhe së fundi për çështjen e milionave të shpenzuara për karburant.
“31 milionë euro karburante”
“Falsifikimi” i raportit për shpenzimet e karburanteve ishte skandali më i fundit pas një postimi të deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila akuzoi qeverinë se ka harxhuar 31 milionë euro për karburante.
Deklaratat e Bajramit e alarmuan pushtetin të cilët dyshohet se më shpejtësi ndryshuan raportin e Zyrës Kombëtarë të Auditimit, dy muaj pas publikimit, duke pretenduar se ka qenë “një gabim i lëshuar”.
“Le që manipulues por tani edhe të parashikueshëm. Saktë para 2 ore në Facebook e thashë se në krye të Zyrës Kombëtare të Auditorit është motra e këshilltares së kryeministrit, e nuk befasohem nëse ajo del edhe kundër raportit të saj, e ju mbron juve”, kishte shkruar deputetja Bajrami.
Kjo alarmoi Lidhjen Demokratike e cila thirri konferencë në mbrëmjen e së premtes. Nga kjo konferencë, LDK shprehi shqetësimin për Raportin, të cilin e quajtën të manipuluar dhe kërkuan që të bëhet hetim i plotë dhe paanshëm mbi këto akuza.
Përplasja për "punësimin”
Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare, opozita ka nisur një nga përplasjet më të mëdha me qeverinë së fundi në lidhje pretendimet për shtim mastiv të vendeve të punës. Së fundi, Lëvizja Vetëvendosje pretendoi nëpërmjet një postimi në Facebook se nën drejtimin e kësaj partie “gati dyfish më shumë vende pune sesa në të gjithë qeveritë tjera bashkë, nga viti 2012 e këtej.”
Anëtari i Lidhjes Demokratike, Berat Rukiqi akuzoi pushtetin ditë me parë për “manipulim me shifra të punësimit”.
Ai akuzoi zyrtarët qeveritarë për krahasime të gabuara të shifrave të punësimit dhe manipulim të tyre.
“Si po manipulon Qeveria me shifrat e punësimit? Krahasimi i gabuar me vitin 2020: Gjatë pandemisë u humbën rreth 25,000 vende pune për shkak të mbylljes së ekonomisë. Me hapjen e saj në 2021, këto vende pune u rikthyen. Por, Qeveria po i llogarit si vende të reja pune!”, ka thënë Rukiqi.
Një tjetër hile e pushtetit sipas tij, është paraqitja e formalizimit të punësimit si punësim real.
“Formalizimi i vendeve të punës: Vendet e formalizuara (rreth 4000-5000 vende pune të formalizuara, vetëm në vitin 2023, sipas Bankës Botërore) gjithashtu po raportohen si vende të reja pune.” – ka thënë ai më tej.
Në krah të argumenteve të LDK-së rezulton një raport i fundit i Bankës Botërore, “Ruajtja e Ritmit të Rritjes”, i cili flet për "formalizimi të tregut të punës" gjatë vitit 2023.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, punësimi për vitin 2021 ishte 383 mijë e 304 persona, ndërsa në vitin 2023 kjo shifër u rrit në 425 mijë e 499 persona.
Megjithatë, në raportin e fundit të Bankës Botërore përveç që nuk u përmenden shifra të tilla të punësimit real, duke shpërfaqur një peizazh krejt tjetër të asaj që pretendon pushteti.
“Formalizimi i tregut të punës vazhdoi në vitin 2023”, thuhet ndër të tjera në raport, duke sugjeruar se edhe në vitet paraprake, kemi të bëjmë me formalizim të punësimit, që nënkupton se më shumë punëtorë në Kosovë po kalojnë nga punët joformale në punësim formal.
"Formalizimi i tregut të punës vazhdoi në vitin 2023, i pasqyruar në një rritje prej 4.5 për qind të punësimit formal." – thuhet në raportin e Bankës Botërore.
Pretendimi për rritje ekonomike
Tema që ka përplasur më së shumti Lidhjen Demokratike me Lëvizjen Vetëvendosje është ajo e “rritjes ekonomike”.
Që nga marrja e pushtetit, zyrtarët qeveritarë kanë pretenduar se rritja ekonomike e vendit ishte më e lartë krahasuar me vitetet paraprake.
Ndër më të zëshmet e demantimit të këtyre deklarime ishte deputetja Hykmete Bajrami e cila në një intervistë të fundit në Rubikon shpjegoi prirjet ekonomike që nga viti 2020, kur rritja ra në -5.3 për qind mes kaosit global të shkaktuar nga pandemia Covid-19.
Pandemia i detyroi qeveritë në mbarë botën të miratojnë masa drastike për të stabilizuar ekonomitë e tyre dhe Kosova nuk ishte përjashtim. Mes një sërë masash, Kosova lejoi në atë botë edhe tërheqjen prej 10 për qind nga Trusti Pensional, me qëllim mbështetjen e bizneseve dhe fillimin e rimëkëmbjes ekonomike.
Bajrami shpjegoi se bumi i ringjalljes ekonomike të vitit pasues (2021) ishe pasojë e atyre masave, duke u përkthyer në një rritje ekonomike prej 10.7 për qind.
Nisur pikërisht nga ky kontekst, deputetja vuri theksin në hilën e pushtetit të cilët e integruan rritjen ekonomike të 2021-ës në mesataren e tri viteve të fundit.
“Nuk ka rritje 170 për qind të ekonomisë. Rritja ekonomike në vitin 2020 – për shkak të pandemisë – kemi pasë rënie ekonomike -5.3 për qind. Në vitin 2021, për shkak të bumit postpandemik, por edhe për shkak të politikave në atë kohë. Mos harroni që i kemi liru 200 milionë euro të Trustit dhe këto e kanë pasur njëfarë ndihmë, pavarësisht kritikave. Po të mos ishin ato 200 milionë euro në qarkullim, ne nuk do ta kishim pasur kaq të lehtë rimëkëmbjen ekonomike.” – tha Bajrami.
Ajo sqaroi më tej se, përveç një rënie drastike të rritjes ekonomike në vitin 2022 dhe 2023, një tjetër indikator i frikshëm ishte inflacioni i cili arriti kulmin në 11.6 për qind gjatë 2022-ës.
“Në vitin 2022, rritja ekonomike ishte 4.2 për qind. Në vitin 2022, inflacioni është 11.6 për qind, dhe në vitin 2023 4.9 për qind. Këta kur dojnë me paraqit shifra të mëdha thonë: ‘ekonominë e kemi pasur 7 miliard dhe e kemi bërë 10 miliardë. S’llogaritet kështu. Rritja ekonomike nuk llogaritet kështu sepse 230 milionë euro vijnë prej inflacionit.” – deklaroi deputetja.